Fillimi i sezonit nuk ka qenë aspak i mirë për Barcelonën, që pa yje si Messi e Griezmann, nuk po arrin të shfaqet në nivelin e pritshmërive, teksa së fundi është folur masivisht për një shkarkim të mundshëm të trajnerit Ronald Koeman.
Mediat katalane kanë shkuar edhe më tej dhe kanë deklaruar se drejtuesit e Barcelonës kanë kontaktuar Jordi Cruijf për t’i besuar pankinën, por djali i ish legjendës holandeze ka refuzuar.
Megjithatë klubi ka zgjedhur të përgënjeshtrojë gjithçka nëpërmjet zëvendës-presidentit për çështjet ekonomike, Eduard Romeu, i cili u shpreh se shkarkimi i Koeman nuk është diskutuar asnjëherë dhe do të ishte gjëja më e pavend për t’u bërë në këtë periudhë.
“Në mbledhjen e Këshillit Administrativ nuk u diskutua për asnjë moment një shkarkim i mundshëm i Koeman. Do të ishte gjëja më e pavend në këtë situatë që jemi, pasi duhet të përballemi me armikun më të keq, në këtë kohë të vështirë. Një shkarkim i Koeman do të na kthente shumë pas në kohë”, deklaroi Romeu.
Vlen të theksohet se trajneri holandez ka kontratë deri në verën e 2022-shit dhe një pagë neto prej 5 milionë eurosh, ndaj një shkarkim i mundshëm do të shtonte edhe më shumë deficitin në arkat e klubit katalan.
Top Channel