Vendimi për të krijuar një pikë të mirëfilltë doganore të re mes Kosovës dhe Shqipërisë është marrë në mbledhjen e parë të qeverisë “Rama 3”.
Këshilli i Ministrave vendosi hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash). Për këtë pikë kalimi kufitar edhe Kosova miratoi më 9 qershor hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Krushevë (Dragash) – Shishtavec (Kukës) për Rregullimin e Regjimit të Trafikut Lokal të Kufirit.
Pika e kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë ka funksionuar gjithmonë si një pikë kalimi për banorët e zonës mes Kukësit dhe Drageshit të Kosovës, të cilët përgjithësisht kalimin e bënin në këmbë, ndërsa me vendimin e qeverisë së sotme, kjo pikë kalimi do të kthehet në një pikë kufitare të rregullt për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës dhe kalimin e mallrave.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryeministri Edi Rama
Top Channel