“Luante” në park, gjen thesarin gjigant me monedha floriri!

14/09/2021 17:17

Praktikisht, po luante me detektorin e tij të metaleve në një zonë ku nuk kishte ndonjë të dhënë për thesare të vërteta. Por një kërkuesi amator në Danimarkë, Ole Ginnerup Schytz, iu shpërblye mundimi me një zbulim gjigand gati 1 kilogramë monedha ari të groposura përpara 1.500 vjetësh, të cilat padyshim do ta bëjnë shumë të pasur.

Artefaktet e florinjta datojnë nga Epoka e Hekurit. Në njoftimin për shtyp të muzeut Vejlemuseerne, ku do të ekspozohen monedhat, ky përshkruhet “ si një nga thesaret më të mëdhenj, më të pasur dhe më të bukur të arit në historinë daneze deri më tani”.

Kreu i kërkimit në këtë muze, Mads Ravn, i tha CNN se gati sa nuk ra nga karrigia kur Schytz i dërgoi foton e njërit prej objekteve duke e pyetur nëse kishte ndonjë vlerë.

Kërkuesi sapo e kishte blerë detektorin e tij të metaleve dhe një mik e lejoi ta provonte në tokën e tij. Brenda pak orësh, Schytz zbuloi thesarin duke i lënë të gjithë gojëhapur.

Top Channel