Duheshin golat dhe vijnë me shumicë në sfidën ndaj Lituanisë. Sulmi i Italisë kishte përfunduar nën kritika, pasi kishte shënuar shumë pak në ndeshjet e fundit, ndërsa Roberto Mancini mendoi të shkundë repartin, pasi i ndikuar edhe nga mungesat, ua besoi dërgimin e topit në rrjetë të rinjve si Moise Kean e Giacomo Raspadori, të cilët nuk zhgënjyen.

Gjithçka u zgjidh në pjesën e parë, pasi pikërisht sulmuesi i Juventusit zhbllokoi sfidën në minutën e 11 dhe arriti të shënojë edhe golin e katërt, ndërsa talenti i Sassuolos, Raspadori provokoi autogolin e miqve dhe shënoi edhe golin e tretë të ndeshjes. Në pjesën e dytë shënoi edhe mbrojtësi i Napolit, Di Lorenzo, duke vulosur suksesin 5-0 të kampionëve të Europës, të cilët blindojnë pozitat në krye të renditjes me 14 pikë, 6 më tepër se Zvicra që nuk shkoi përtej barazimit pa gola në transfertë ndaj Irlandës së veriut.

Bind edhe Gjermania, që ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 0-4 në transfertën ndaj Islandës, falë golave të Gnabry e Rudiger në pjesën e parë dhe Sane e Timo Werner në të dytën, në një sfidë që nuk pati histori. Me tre fitore në po kaq ndeshje nën drejtimin e Hansi Flick, Gjermania konsolidon pozitat në krye të grupit me plot 15 pikë, 4 më tepër se Armenia që është ndjekësja më e afërt, ndërsa bileta direkte për në Katar është gjithmonë e më pranë sigurimit.

Në të njëjtin grup, Maqedonia e Veriut nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Rumanisë, ndërsa më herët, Armenia bëri një hap fals, duke u ndalur në barazim 1-1 përballë modestëve të Liechtenstein. Në grupin I, ku bën pjesë edhe Shqipëria, Polonia ia doli të marrë një pikë në minutat e fundit ndaj Anglisë. Këta të fundit zhbllokuan sfidën me Kane në minutën e 72-të, ndërsa polakët rikthyen baraspeshën në të 91-tën me Szymanski, i cili shënoi pas asistit të Lewandowskit.

Pas 6 ndeshjeve në grup, Anglia kryeson me 16 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 12 pikë e Polonia me 11 pikë, ndërsa Hungaria shkon në kuotën e 10 pikëve, pas fitores me rezultatin 2-1 ndaj Andorrës. Në grupin E, Belgjika vrapon drejt Botërorit, pasi triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Bjellorusisë, falë një goli të Praet, ndërsa në të njëjtin grup Uellsi bëri një hap fals, duke mos shkuar përtej barazimit pa gola ndaj Estonisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA