Vetëm 1 gol larg rekordit të Messit! Mbappé bëhet golashënuesi më i mirë i Francës në histori dhe kualifikon “Gjelat”

05/07/2026 00:44

Franca ka prerë zyrtarisht biletën për në raundin tjetër të Kupës së Botës 2026!

Ylli francez u tregua i pamëshirshëm dhe i ftohtë nga pika e bardhë e penalltisë, duke shënuar golin e vetëm të takimit që zhbllokoi shifrat dhe i dha kualifikimin e vuajtur, por të artë, kombëtares së tij. Kjo fitore mban gjallë ëndrrën franceze, por njëkohësisht po kthen Kupën e Botës në skenën personale të sulmuesit.

Mbreti absolut i Francës

Ky nuk ishte thjesht goli i fitores; ishte një vulë tjetër në librat e historisë. Me këtë rrjetë, Mbappé thellon edhe më shumë distancën e tij si golashënuesi më i mirë në historinë e Francës në Kampionatet Botërore. Ai ka shkuar në kuotën e 19 golave, duke lënë pas me një diferencë vërtet frikësuese legjenda absolute si Just Fontaine, Thierry Henry apo Zinedine Zidane.

Renditja e golashënuesve më të mirë francezë në historinë e Botërorëve:

  • Kylian Mbappé: 19 gola

  • Just Fontaine: 13 gola

  • Thierry Henry: 6 gola

  • Zinédine Zidane: 5 gola

  • Michel Platini: 5 gola

  • Olivier Giroud: 5 gola

  • Antoine Griezmann: 4 gola

Në ndjekje të Messit për rekordin absolut

Me kalimin e Francës në fazën tjetër, ambicia e Kylian tashmë kalon kufijtë e kombëtares. Me 19 gola në llogarinë e tij, fenomeni francez gjendet zyrtarisht vetëm një gol larg barazimit të rekordit absolut prej 20 golash në historinë e kompeticionit, të vendosur nga legjenda Lionel Messi.

Tashmë që Franca do të luajë të paktën edhe një tjetër ndeshje “jetë a vdekje” në këtë Botëror, e gjithë bota po pret me padurim. A do të bjerë rekordi historik i Messit në sfidën e radhës? Një gjë është e sigurt, Mbappé po e rishkruan historinë e futbollit para syve tanë!

Top Channel