Pavarësisht eliminimit në Botëror, Kepit të Gjelbër i rezervohet një festë madhështore në kthim

04/07/2026 23:58

Kepi i Gjelbër ishte surpriza më e bukur e Botërorit 2026 që fitoi zemrat e miliona personave në mbarë botën. Skuadra afrikane ishte duke bërë mrekullinë e radhës në këtë kompeticion teksa luftoi si e barabartë me kampionët e botës të Argjentinës, duke rrezikuar ta eliminojë atë, por në fund rezultati i buzëqeshi Lionel Messit me shokë.

E megjithatë, pavarësisht këtij eliminimi, futbollistëve dhe stafit teknik të skuadrës i është rezervuar pritje dhe festë madhështore në vend.

Mësohet se delegacioni i Kepit të Gjelbër do të mbërrijë në vend ditën e diel në Praia  ku do të pritet nga mijëra persona që do t’i bëjnë një homazh për paraqitjen e jashtëzakonshme të bërë në këtë Botëror duke kaluar çdo pritshmëri: barazoi 0-0 me Spanjën dhe me Arabinë Saudite dhe  2-2 me Uruguajin, ndërsa në 1/16 e finaleve e çoi ndeshjen me Argjentinën në kohë shtesë

Kombëtarja do të pritet nga një delegacion zyrtar i qeverisë së vendit në aeroport dhe më pas do të bëjë një paradë në rrugët e Praias që do të mbyllet me diskutime zyrtare, spektakle muzikore për njerëzit dhe festa të ndryshme.

Top Channel