Policia kufitare e Kapshticës ka goditur një tjetër rast të mosdeklarimit të parave në kufi, si dhe ka proceduar penalisht një shtetas.
Sipas informacionit të dhënë nga policia mësohet se në dalje të Shqipërisë ka kaluar në vijën e dytë për kontroll një 57 vjeçar të cilit iu gjetën dhe sekuestruan 17.380 euro.
Shtetasi me inicialet O.M., mbante shumën e parave në çantën e tij të dorës, sasi kjo e padeklaruar.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll shtetasin O. M., në çantën personale së të cilit, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17.380 euro, sasi të cilën nuk e kishte deklaruar.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj shtetasit O. M., 57 vjeç, banues në Bishqem, Peqin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Top Channel