Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur përgatitjet e përkujtimit të 20 vjetorit të sulmeve të Al-Qaedës mbi kullat binjake në New York, që është edhe pikënisja e misioneve ushtarake të NATO-s në Afganistan nga u vranë 6.000 ushtarë amerikan.

Edhe Shqipëria pati një humbje jete të kapitenit Feti Vogli. Për këtë vrasje ndodhur në një provincë të Afganistanit më 20 Shkurt 2012, flet për herë të parë në një intervistë televizive i mbijetuari sulmit, ish ushtaraku Aleksandër Peci, i cili tashmë jeton dhe punon në SHBA. Me Aleksandër Pecin bisedoi gazetari Top Channel Muhamed Veliu.

Muhamed Veliu: Si e kujtoni pjesëmarrjen tuaj në misionet me trupa ushtarake shqiptare në Afganistan?

Aleksandër Peci: Unë kam marrë pjesë në dy misione në Afganistan. Në 2012 me Eagle 4 dhe në 2014 me Eagle 8 që ishte misioni i fundit atje i forcave special atje. Në 2012 ishte edhe rasti fatal i humbjes së komandant Feti Voglit. Për mua ka qenë nder dhe jam shumë i privilegjuar që kam shërbyer në Afganistan për Shqipërinë, për një vend të vogël të NATO-s. Ndjehem krenar dhe dua të falënderoj të gjithë ata djem pjesëmarrës në misionet paqeruajtëse.

Muhamed Veliu: Gjatë kohës kur ishit me trupat speciale që njihen si “Beretat Vishnje” çfarë detyrash keni përmbushur?

Aleksandër Peci: Kemi patur detyra të ndryshme si përshembull patrullime, kontrolle në akse rrugore të ndryshme të Afganistanit, patrullime në qytet si dhe në pikën doganore Afganistan-Pakistan. Kemi shërbyer poashtu në një komisariat policie që ishte rreth 1 kilometër larg kësaj dogane.

Muhamed Veliu: Mund të na e tregoni momentin kur ju u plagosët dhe kapiteni Feti Vogli humbi jetën në Afganistan?

Aleksandër Peci: Ka qenë data 20 Shkurt dhe atë ditë ishte inagurimi një shkolle që kishte shumë e shumë vite e mbyllur. Ne na u ngarkua sigurimi një zonje e cila kishte ardhur nga Amerika për të parë investimet e kësaj shkolle si dhe të spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Përpara se të shkonim në atë shkollë kemi hapur edhe një qendër shëndetësore. Më pas shkuam tek shkolla. Ishim një grup i batalionit special i përbërë nga 12 vetë dhe ne kishim detyrë kryesore sigurinë fizike të zonjës. Jashtë kemi qenë unë, komandant Fetiu dhe kolegu amerikan Michael Trost si dhe një tjetër koleg shqiptarë Ylber Dajlani. Ne po merreshim me sigurimin e pjesës së përparme të shkollës. Pas nesh ishte makina e policisë ku ndodhej një polic afgan i cili na goditi nga pas. Nuk e prisnim një gjë të tillë të na ndodhte nga policia. Nuk kishte ndodhur më parë. Jemi gjendur nën breshëri. Në momentet kur kemi marrë plumbat e parë ramë në tokë. Kam parë komandant Fetiun rëndë në të djathtë në tokë dhe plumbat e kishin marrë në venat kryesore të qafës nga ku po i dilte shumë gjak. Në krahun tjetër ishte amerikani Michael Trost që kishte marrë një plumb në dorë dhe kishte humbur dy gishtërinj sikurse kishte marrë plumba edhe në këmbë e nisi të bërtiste. Atë moment kam vajtur tek komandanti i ndjerë Fetiu, duke u munduar ti jap sadopak ndihmë. Kam pyetur kolegun amerikan si ndjehej. Atë moment më doli gjak se kisha marrë një plumb në fytyrë. Nisi dalja e gjakut nga goja. Nën antiplumb kisha një paketë të ndihmës së shpejtë nga ku nxora fashon për ti dhënë vetes ndihmën e parë e ndaluar sadopak gjakderdhjen në qafë. Atë moment kanë dalë edhe pjesëtar të tjerë të grupit duke neutralizuar dhe kapën policin. Nuk mund ti qëllosh pasi është dorëzuar. Është ligji i luftës dhe nuk mund ta vrasësh. Na erdhën në ndihmë djemtë e repartit tonë dhe asistentë të tjerë për të na mbajtur sadopak. Kemi qëndruar atje 25-30 minuta deri sa erdhi helikopteri për të na marrë mua, Michael dhe komandant Fetiun. Gjatë të gjithë kohës ekipi mjekësor I helikopterit po mundohej përmes goditje të elektro-shock të mbante në jetë komandant Feti Voglin por ishte e pamundur shpëtimi i tij deri në spital. Ka qenë një ditë e vështirë shumë e errët për ne se ishte humbja e parë pasi ishte komandanti i grupit. Një prej djemve më të përgatitur që ka patur reparti jonë. Një djalë dhe familjar shumë i mirë. Por lufta i ka këto dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të përballemi më gjithçka.

Muhamed Veliu: Nga analiza që ju bëtë më pas, a mund të shmangej ky incident?

Aleksandër Peci: Nga analiza e bërë më pas edhe mund të ishte shmangur por ajo ishte një pritë ose pabesi e një Talibani të infiltruar nën uniformën e policisë afgane dhe më vonë në misionet e tjera nuk kemi patur asnjë rast tjetër se pa pësuar nuk e mendon. Në misionet e tjera është rritur ndaj policisë e ushtarëve afganë. Nuk kishte më as besë dhe as burrni siç i thonë me ta.

Muhamed Veliu: Këto 20 vite shumë gjak i derdhur në Afganistan madje edhe gjak shqiptarë i komandant Feti Voglit. Pyetja që të gjithë bëjnë sot që SHBA dhe NATO u larguan nga atje është. A ia vlejti e gjithë kjo sakrificë?

Aleksandër Peci: E gjithë kjo sakrificë ia vlejti sepse në Afganistan për 20 vite janë bërë shumë ndryshime. Janë hapur shumë shkolla duke ulur nivelin e njerëzve të paarsimuar. Janë hapur shumë spitale gjithashtu. Më re rëndësishmja hapja e shumë shkollave pasi vajzat nuk lejoheshin të arsimoheshin. I shikoje të lira të lëviznin e të punonin. 20 vite janë shumë, nga ku humbën jetën shumë njerëz mes tyre ushtarakë.

Muhamed Veliu: A mendoni se NATO e përmbushi misionin në Afganistan dhe kishte ardhur moment i duhur për tu tërhequr?

Aleksandër Peci: NATO e ka përmbushur misionin për 20 vite duke angazhuar shumë trupa. Është bërë shumë punë e shumë investime në polici dhe ushtrinë e Afganistanit. Kishte ardhur koha që qeveritarët afganë, ushtarakët ta drejtonin vetë atdheun e tyre. Ta drejtonin vetë sigurinë sepse nuk mund të presësh gjithë jetën të kesh të sigurtë vendin nga NATO, SHBA apo askush tjetër.

Muhamed Veliu: Si shpjegohet që një trupë kaq e madhe ushtarake afganase të shpërbëhej, shkërmoqej brenda 24 orëve dukë bërë që Talibanët të marshonin si fitimtarë drejt Kabulit?

Aleksandër Peci: Është për të ardhur keq se si ky investim kolosal që është bërë në ushtri apo forcat speciale të Afganistanit si dhe polici të shpartallohej. Mbase edhe nga fakti që kishte shumë të infiltruar nga Talibanët dhe kanë patur frikë. Edhe familjet e tyre kanë qenë të kërcënuara gjatë kohës kur koalicioni ishte atje përpara se të tërhiqeshin. Familjet e tyre në mënyrë konstante ishin të sulmuara nga terroristët.

Muhamed Veliu: Për SHBA, Afganistani konsiderohej si një vatër terrorizmi e Al-Qaedës. Nga eksperienca e juaj atje a mendoni se Afganistani do të kthehet përsëri në një vatër aktive për grupet terroriste?

Aleksandër Peci: Ne shpresojmë mos të kthehet. Por gjasat janë që edhe mund të kthehet sepse kur një shtet drejtohet nga terroristët mendojë se do të ketë strehë për terroristët në Afganistan për shumë grupe terroriste. Shpresoj mos të ketë por është e pritshme edhe të ketë prapë.

Muhamed Veliu: A ju vjen keq që përkthyesit afganë, përfshi ata që ndihmuan misionet shqiptare atje kanë mbetur pa u evakuuar tashmë dhe u rrezikohet jeta?

Aleksandër Peci: Më vjen shumë keq sepse përkthyesit kanë luajtur një rrol shumë të rëndësishëm për përmbushjen e misioneve tona speciale në Afganistan. Përkthyesit ishin krahu jonë i djathtë. Pa një përkthyes ti nuk kishte kishe si komunikoje me popullsinë, kryetarët e fshatrave, me komandantët e ushtrisë, policisë. Më vjen keq që kanë mbetur atje pasi kanë qenë shumë besnik ndaj nesh me misionet tona. Që kur ne ishim atje ata ishin të kërcënuar por të sigurtë nga prezenca e jonë. Do kisha pasur shumë dëshirë që përkthyesit e njerëzit që na kanë shërbyer koalicionit të NATO-s të ishin evakuuar e shpëtuar pasi janë në rrezik shumë të madh.

FOTO GALERI
5/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA