Forcat talebane janë përfshirë në një betejë të armatosur për kontroll me grupet e rezistencës në Luginën e Panjshirit në veri të Kabulit, bëjnë të ditur njoftimet nga rajoni. Kjo është krahina e fundit në Afganistan që ende nuk ka rëndë në duart e talebanëve.
Burime të talebanëve thanë të premten se forcat e këtij grupi e kishin marrë nën kontroll luginën, por luftëtarët opozitarë deklarojnë se beteja vazhdon. Fronti Kombëtar i Rezistencës në Afganistan, një rrjet grupesh besnike të udhëheqësit lokal Ahmad Masud, deklaroi se forcat talebane kishin arritur në Lartësitë Darban, një zonë në kufi mes krahinave të Kapisës dhe Panshirit, por se luftëtarët opozitarë kishin arritur t’i sprapsnin talebanët.
Një burim i talebanëve tha se vazhdon avancimi i forcave të tyre, por se përparimi ka qenë i ngadaltë sepse rruga drejt kryeqytetit krahinor Bazarak është minuar. Ende nuk ka konfirmim të pavarur mbi zhvillimet në Panshir, një rajon i rrethuar nga malet ku rruga kalon nëpër një grykë të ngushtë. Banorët e rajonit kanë një histori të gjatë rezistence si ndaj qeverisë së mëparshme talebane në vitet ’90, ashtu edhe ndaj pushtimit sovjetik.
Ndërkaq, talebanët kanë thënë se javën e ardhshme do të njoftojnë përbërjen e qeverisë së tyre të re. Bashkëthemeluesi i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, emri i të cilit është përmendur si kreu i qeverisë së ardhshme, tha për kanalin Al Jazeera se administrata e re “do të përfshijë të gjithë grupimet e popullit afgan”.
Ndërkaq, ka shenja të rikthimit të ngadaltë të normalitetit në Kabul. Ambasadori i Katarit në Afganistan tha se një ekip teknik mundësoi rihapjen e aeroportit ndërkombëtar për avionët e ndihmave. Ka gjithashtu njoftime se kanë rifilluar fluturimet brenda vendit. Aeroporti ka qenë i mbyllur që kur SHBA u dha fund operacioneve të saj më 30 gusht, duke evakuuar personelin diplomatik, pajisjet dhe trupat ushtarake, si dhe një numër afganësh që konsideroheshin në rrezik nga talebanët.
Top Channel