Frenohet tkurrja e rrjetit, rritet punësimi në sistemin bankar

04/09/2021 07:50

Tendenca e pakësimit të njësive fizike të shërbimit të bankave këtë vit paraqitet më e kufizuar. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti, bankat tregtare kishin 414 degë dhe agjenci, nga 417 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ulja e numrit të degëve është një tendencë e nisur që nga viti 2013 dhe është ndikuar paralelisht nga nevoja për një eficiencë në rritje, në kushtet e ndikimit të krizës, por edhe nga dixhitalizimi i shpejtë i shërbimeve. Sidomos në periudhën 2018-2019, ulja e numrit të degëve u ndikua shumë edhe nga rënia e numrit total të bankave brenda sistemit, nga 16 në 12.

Nga fillimi i vitit 2012, deri në fund të vitit 2020, numri i degëve dhe agjencive të bankave pësoi rënie me rreth 26%. Kjo tendencë gjatë këtij viti duket se është më e kufizuar, ndërsa paralelisht, bankat po vijojnë edhe këtë vit të rrisin numrin e punonjësve. Në fund të muajit qershor të këtij viti, sektori bankar shqiptar punësonte 6551 individë, në rritje me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Mes viteve 2016 dhe 2019, numri i punonjësve në sektorin bankar pësoi rënie, e lidhur kryesisht me shitjet dhe bashkimet e bankave me njëra-tjetrën, që sollën edhe nevojën për shkurtime në pozicione të dubluara nga bashkimet. Që nga viti i kaluar, punësimi në banka i është rikthyer rritjes.

Rritja e peshës së teknologjisë po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por kjo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si dhe me nevojën për stafe më të mëdha administrative që të menaxhojnë volume më të mëdha të punës të lidhura me rritjen e përmasave të bankave.

Kanalet alternative, në rritje të vazhdueshme

Një nga efektet anësore pozitive të pandemisë ishte, padyshim, nxitja e përdorimit të kanaleve bankare dixhitale dhe alternative. Për shkak të kufizimeve, shumë individë zbuluan se një pjesë e madhe e pagesave mund të kryhen pa qenë nevoja për të shkuar në sportelet e bankave apo institucioneve financiare të pagesave, nëpërmjet kartave bankare apo platformave të internet banking.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, këtë vit, tendenca në rritje e përdorimit të këtyre kanaleve po vazhdon. Për gjysmën e parë të këtij viti, numri i transaksioneve nëpërmjet shërbimeve të home banking (kryesisht internet dhe mobile banking) arriti mesatarisht në 385 mijë në muaj, në rritje me 12% krahasuar me mesataren mujore të vitit të kaluar. Numri mesatar mujor i pagesave në pikat elektronike të shitjes (POS) gjatë këtij viti ka arritur në pothuajse 600 mijë, në rritje me pothuajse 24% krahasuar me mesataren e vitit 2020.

Bankat po vijojnë zgjerimin e infrastrukturës së lidhur me ofrimin e shërbimeve të automatizuara të pagesave. Në mesin e këtij viti, numri i bankomateve ka arritur në 754, në rritje me 2.2% që nga fillimi i vitit dhe me 6.5% krahasuar me një vit më parë. Pas rënies së shkaktuar kryesisht nga bashkimet e bankave, numri i ATM-ve iu kthye rritjes sërish, sidomos pas pandemisë. Bankat po tentojnë të shmangin krijimin e ngarkesës në sportele për veprime bazike, siç janë tërheqjet cash, të cilat mund të kryhen përmes bankomateve. Por, tashmë bankat gradualisht po ofrojnë pajisje ATM, që mundësojnë edhe depozitimin e parasë cash. Tashmë, 30% e bankomateve të sektorit bankar mundësojnë edhe shërbimin e depozitimit të parave.

Ky shërbim krijon mundësi për të zhvendosur një nga shërbimet e pakta të pagesave, që deri para pak vitesh mund të kryheshin vetëm në sportel, depozitimet e cash. Rritje edhe më të shpejtë po shënon numri i POS-eve për shitje me kartë. Në mesin e këtij viti, numri total i tyre arriti në më shumë se 12 800, në rritje me 6% që nga fillimi i vitit dhe pothuajse 12% krahasuar me mesin e vitit 2020.

Numri i kartave bankare të pagesave ka arritur tashmë në rreth 1.25 milionë, në rritje vjetore me 19%. Pjesa dërrmuese e tyre janë karta debiti, të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Kartat e debitit përbëjnë mbi 90% të numrit total të kartave të pagesave. Megjithatë, edhe kartat e kreditit i janë kthyer rritjes, pas rënies së vitit të kaluar. Në fund të qershorit, numri i tyre arriti në pothuajse 118 mijë, 2.3% më shumë krahasuar me një vit më parë./Monitor

Top Channel