Kryesia e PS, humbet Xhafaj/ Më e votuara është Belinda Balluku, zgjidhen Bushati, Majko, Braçe dhe Kodheli

02/09/2021 19:08

Asambleja Kombëtare zgjodhi edhe kryesinë e re të PS me 12 anëtarë 6 gra po aq burra.

E rikonfirmuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku mori numrin më të madh të votave 207 nga kandidatet femra pasuar nga kolegia e saj po ashtu e rikonformuar në krye të shëndetësisë Ogerta Manastirliu me 204 vota. Blerina Gjylameti mori 199 vota pasuar nga Evis Kushi 183 vota dhe Olta Xhaçka 180 vota.

Ish ministria e mbrojtjes në qeverinë Rama 1, Mimi Kodheli do të jetë në kryesinë e PS falë 179 votave të marra. Nuk mundën të marrin votat e mjaftueshme për në kryesi Almira Xhembulla, Ermonela Felaj, Klodtilda Ferhati dhe Milva Ekonomi.

Ditmir Bushati ish ministër i Punëve të Jashtme i kthyer në një zë të fortë kritik ndaj Edi Ramës përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, kur mendohej se dera e PS mund ti mbyllej përgjithmonë ndodhi e kundërta. Në grupimin e kandidatëve meshkuj zoti Bushati, u shpall më i votuari me 204 vota. U votëbesuan për në kryesi Arben Pëllumbi bashkë me ish kryeministrin Pandeli Majko.
Megjithëse i vendosur nën breshërinë e akuzave të Petro Kocit, në kryesin socialiste do të ulet edhe krye-bashkiaku Fierit Armando Subashi.

174 votat nga asambleja kombëtare ulin në kryesi edhe senatorin socialist, Erion Braçen i vetmi post që do të mbajë në vazhdim. Ish ministri shëndetësisë dhe i drejtues politik në Shkodër Ilir Beqa mori votat e mjaftueshme për në kryesi. Asambleja socialiste nuk i dha votat e duhura për në kryesi Fatmir Xhafaj. Ish ministri dhe deputeti socialist do qëndrojë jashtë kryesisë socialiste së bashku me Pjerin Ndreu, Ervin Demo dhe Eduard Shalsin.

Top Channel