Berisha “hyn mes” Ramës e Veliajt! Kreu i PD shpjegon arsyet e përplasjes: Shkak janë zgjedhjet e Tiranës

03/11/2026 15:17

Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po kërcënon Erion Veliajn që kryebashkiaku t’i dorëzojë çelësat e Bashkisë së Tiranës.

“Nuk ka dyshim se ai me ndërhyrjen e fundit, me transferimin e tij në kundërshtim me të gjitha procedurat, ai është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt ndaj tij nga frika se do humbasë Bashkinë e Tiranës”, tha Berisha.

Lufta mes Ramës dhe Veliajt për Berishën është një moment që duhet shfrytëzuar nga opozita.

“PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqe të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshi edhe Tiranën”, deklaroi ai.

Bashkim jo vetëm për zgjedhje, por edhe protesta. E radhës ditën e shtunë.

“Jam sot, para jush, për të bërë thirrje demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve të mbarë Shqipërisë, ditën e shtunë në orën 12:00, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore”.

Paralajmëroi se do të godasë hartën e re territoriale në Gjykatën Kushtetuese dhe sulmoi ashpër presidentin Begaj që dekretoi ndarjen e vendit në 46 bashki.

“Dhe qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Haram Begaj është thjesht noteri i Padrinos. Po, ne do ta ndjekim me të gjitha modalitetet ligjore”.

Berisha pranoi se është i vonuar në përzgjedhjen e kandidatëve për betejën vendore, duke premtuar se emrat dhe mënyra e përzgjedhjes së tyre do të bëhen publike shumë shpejt.

Top Channel