Plagosja në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, policia arreston autorin 17-vjeçar
Oerd Bylykbashi ka njoftuar se ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke e cilësuar këtë si një hap në funksion të përtëritjes dhe zgjerimit të forcave të partisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e PD-së në Durrës, ai deklaroi se dorëzimi i detyrës te kryetari i partisë ishte bërë rreth një javë më parë.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe te parimet politike, duke kujtuar këshillat që, sipas tij, ka marrë gjatë 19 viteve nga Sali Berisha.
Ai tha se, pavarësisht ofertave dhe presioneve, demokratët nuk kanë bërë kompromis, duke iu referuar veçanërisht zgjedhjeve të fundit në bashkinë e Durrësit.
“Unë dëshiroj t’ju falënderoj te gjithëve ju miq, bashkëpunëtorë, anëtarë, qëndrestarë të PD që në gjithë këto vite kemi qëndruar e kemi rezistuar fort.
Unë në këtë fjalë që kam sot, dëshiroj t’ju falënderoj se kjo është hera e fundit që unë ju drejtohem si drejtues politik i qarkut të Durrësit, pasi ia kam dorëzuar këtë detyrë rreth një javë më parë kryetarit të partisë. Sepse mendoj që vetëm në këtë formë ne mund të çojmë përpara përtëritjen e shumëfishimin e forcave tona; marrim një detyrë e çojmë përpara, më pas vjen dikush tjetër e bën. Dhe unë i uroj kujtdo që do e marrë këtë detyrë ta çojë PD drejt fitores në zgjedhjet që kemi përpara.
Kemi vetëm një rrugë! Rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Ne mund të bëjmë çdolloj kompromisi, por kompromis me moralin dhe parimet s’duhet të ketë!
Në 19 vite që kam punuar me doktor Berishën, nëse do të zgjidhja një nga ato leksione të jashtëzakonshme që unë kam marrë ka qenë; qëndroji parimeve pa lëkundje! Dhe në duhet t’u qëndrojmë këtyre parimeve deri në fund, sepse vetëm ato na çojnë më kokën lart drejt fitores. Asnjë kompromis me parimet dhe moralin!
Nëse ka diçka që ne nuk e kemi bërë në gjithë këto vite edhe kur presioni ka qenë i jashtëzakonshëm mbi të gjithë ju; presion nga krimi i organizuar në këtë qytet. Ne jemi përballur në zgjedhjet e kaluara në këtë qytet me Kryeministrin, me bashkinë e dytë më të fuqishme në republikë, me një koordinator si Ergys Agasi, që tashmë të gjithë e dinë që është një nga elementët thelbësorë të krimit të organizuar në funksion të regjimit të Edi Ramës dhe me një nga kartelet më të mëdha kriminale në vend; në të gjithë nuk bëmë kompromis, u përpoqëm dhe dhamë atë rezultat.
Jam i sigurt që vetëm në këtë mënyrë, duke mos bërë kompromis me krimin, ne do të vazhdojmë të kemi fytyrën dhe moralin për tu dalë përpara durrsakëve, për tu dhënë një ofertë të jashtëzakonshme e për të fituar”, tha ai.
Top Channel