Greqia nis sot zbatimin e ligjit/ Hiqen nga puna punonjësit shëndetësorë që nuk janë vaksinuar

01/09/2021 11:16

Greqia ka nisur zbatimin e ligjit për pushimin nga punë të të gjithë punonjësve shëndetësore të pavaksinuar, në të gjithë territorin.

Por krahas kësaj masave vihet re se shumë grupe punonjësish në kompani dhe fusha të ndryshme janë duke kundërshtuar këtë masë.

Sipas të dhënave më të fundit, vlerësohet se rreth 10 mijë punonjës shëndetësorë nuk janë vaksinuar ende, ndërsa vala e katër e pandemisë duket se po vjen.

Ligji për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë parashikon që punëtorët e pavaksinuar do të përjashtohen nga puna, për mbrojtjen e tyre ashtu edhe për mbrojtjen e pacientëve që trajtojnë.

Athanasios Plevris, Ministri i ri i Shëndetësisë: Mesazhi i parë që dua të jap si Ministër i Shëndetësisë është se është shumë e rëndësishme që ne të vaksinohemi dhe se vaksinimet janë për veten dhe për shoqërinë.

Në Greqinë e 10.7 milionë banorëve vetëm 5.8 milionë janë vaksinuar, ndërsa numri i rasteve ditore vazhdon të mbetet mbi 3500. Gjithashtu në 24 orët e fundit janë regjistruar  344 të intubuar dhe 22 humbje jete.

Ministri i ri i Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do të ketë kthim pas për masat e marra dhe se do të plotësohen me personel të ri vendet e mbetura bosh.

Emërimi i Thanos Plevris në këtë post delikat të menaxhimit të pandemisë ka sjellë reagim të opozitës greke, e cila ka rikujtuar një prej deklaratave të mëparshme të tij,duke theksuar se si mund të jetë Ministër i Shëndetësisë një njeri i ekstremit të djathtë, pa humanitet, që është shprehur dikur kundër emigrantëve:

“Kur të jeni këtu nuk do të ketë përfitime sociale, nuk do të jeni në gjendje të hani, te pini, nuk do të jeni në gjendje të shkoni në spital. Duhet qe të kalojnë më keq se sa ne vendet e tyre. Ferri duhet të duket si parajsë për ata që do të jetojnë këtu! “

Top Channel