Festë dhe eufori mes talebanëve, kërkojnë njohjen nga ndërkombëtarët

01/09/2021 15:21

Talebanët festuan largimin e forcave ndërkombëtare nga Afganistani dhe marrjen e pushtetit.

Ata i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të njohin sundimin taleban.
Zëdhënësi kryesor i talebanëve Zabihullah Mujahid i bëri këto komente, një ditë pasi avioni i fundit ushtarak amerikan u largua nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit.

Ndërsa fliste me gazetarët në pistën e aeroportit, ai uroi afganët dhe e shpalli largimin e ushtrisë së huaj një fitore “që i përket të gjithëve”.

Talebanët kanë premtuar se do të jenë tolerant në qeverisje, ndryshe nga hera e parë, kur gjatë viteve 1996-2001, grupi ekstremist ndaloi gratë afgane të punojnë jashtë shtëpisë dhe vajzave të arsimohen.
Muxhahid u përpoq t’i qetësonte qyetarët, teksa kritikoi drejtuesit taleban në pistën e aeroportit për sjellje të ashpër me afganët.

Trajtojeni popullsinë afgane me mirësi“, u tha ai atyre. “Populli e meriton këtë“.
Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe botën. Mirëpresim marrëdhëniet e mira diplomatike me të gjithë“, këmbënguli Mujahid, duke thënë se Afganistanit i duhet ndihmë ndërkombëtare për të kapërcyer shumë kriza pas katër dekadash lufte.

Zyrtarët talebanë gjithashtu thanë se konsultimet mbi formimin e një “qeverie gjithëpërfshirëse islame” në Kabul kanë përfunduar dhe do të bëhen publike së shpejti.
Sidoqoftë, skepticizmi nëse lëvizja islamike do të mbajë premtimet e saj dhe do të ruajë marrëdhëniet diplomatike të Afganistanit me botës, mbetet i madh.

Talebanët tani përballen me një sprovë. A mund ta udhëheqin ata vendin drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë ku të gjithë qytetarët, burra dhe gra, të kenë shansin për të arritur potencialin e tyre?” shkroi në Twitter, Khalilzad i dërguari i posaçëm amerikan për paqen.
Forcat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani pak para se të përfundonte afati i 31 gushtit, i caktuar nga Presidenti amerikan Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evakuuan më shumë se 123.000 civilë nga Afganistani, edhe pse shumë të tjerë mbetën pas.

Megjithatë, Biden u zotua se nuk ka mbaruar punë me talebanët. Ai paralajmëroi se Amerika nuk do të harrojë sulmin në aeroportin e Kabulit, ku mbetën të vdekur 170 njerëz, mes të cilëve 13 ushtarakë amerikanë.

Top Channel