“Ethet misterioze” vrasin mbi 50 fëmijë në Indi, dyshohet se infeksioni u përhap nga mushkonjat

01/09/2021 14:31

Prej më shumë se një jave, fëmijët në disa rrethe në shtetin verior indian të Uttar Pradesh janë zgjuar me ethe të forta dhe të larë në djersë.  

Shumë prej tyre u ankuan për dhimbje të kyçeve, dhimbje koke dhe dehidratim. Në disa raste, ata raportuan skuqje të përhapura në këmbë dhe krahë.

Si pasojë e etheve të paktën 50 fëmijë kanë gjetur vdekjen dhe qindra të tjerë janë shtruar në spital në gjashtë rrethe në pjesën lindore të shtetit. Asnjë nga viktimat nuk rezultoi pozitiv me covid-19.

Në një kohë kur India duket se po shërohet ngadalë nga një valë e dytë vdekjeprurëse e koronavirusit, vdekjet në Uttar Pradesh kanë provokuar panik se një valë “ethesh misterioze” po përfshin fshatrat e shtetit më të populluar të Indisë.

Mjekët në disa nga rrethet e prekura, Agra, Mathura, Mainpuri, Etah, Kasganj dhe Firozabad, besojnë se ethet janë pasojë e një infeksioni viral i përhapur nga mushkonjat, shkruan BBC. 

Ata thonë se shumë nga pacientët u dërguan në spital dhe u vu re një nivel i ulët i trombociteve.

“Pacientët, veçanërisht fëmijët, në spitale po vdesin shumë shpejt”, thotë Dr Neeta Kulshrestha, zyrtarja më e lartë shëndetësore e rrethit Firozabad, ku 40 persona, përfshirë 32 fëmijë, kanë humbur jetën javën e kaluar.

Top Channel