Kosovë – Ministria e Arsimit ka vendosur që të shtyjë fillimin e vitit të ri shkollor deri më 13 shtator për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.
Mediat kosovare bëjnë me dije se vendimi është marrë ditën e sotme gjatë një takimi. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet një postimi në Facebook sot ka thënë se rikthimi në shkolla duhet të jetë i sigurt, dhe se interesi i fëmijëve do të jetë në qendër të vendimeve të saj.
Ajo ka thënë se synimi është të hapen shkollat dhe që mësimi të zhvillohet në orar të rregullt e pjesëmarrje fizike. Por ditët e fundit janë shënuar shifra të larta të rasteve të reja dhe vdekjeve si pasojë e Covid-19.
“Dje kam marrë pjesë në takimin e Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunal të Arsimit dhe kemi diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022. Të gjithë drejtorët njoftuan se kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, raportuan për rritjen e përqindjes së mësimdhënësve të vaksinuar dhe personelit administrativ dhe se janë të gatshëm për hapjen e shkollave me prani fizike të nxënësve.
Ne në ministri po ashtu, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të mbajmë shkollat të hapura dhe që mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore. Kemi rishikuar Udhëzuesin për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë, protokollet për organizimin e mësimit si dhe është punuar në skenarin që mundëson rikthimin në shkolla me orar të rregullt sipas rekomandimeve të institucioneve adekuate. Gjithashtu, kemi filluar edhe shpërndarjen e teksteve shkollore dhe përgatitjet tjera të nevojshme.
Ashtu siç kemi deklaruar, ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore për arsye se të gjitha studimet tregojnë për pasojat e mëdha tek fëmijët për shkak të mbylljes së institucioneve shkollore. Raportet për mësimin gjatë pandemisë, flasin për pengesa në qasje në mësim të rregullt, humbje në rezultate të të nxënit, rritje të pabarazisë dhe pasoja afatgjate në zhvillim intelektual, kognitiv e psikosocial. Andaj, mbyllja e shkollave duhet të jetë vendimi i fundit në masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë”, ka shkruar Nagavci.
Nagacvi ka thënë se janë në diskutim me Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK, UNICEF-in dhe me përfaqësuese të komunave, me mësimdhënës e prindër.
“Ne do të vazhdojmë të përcjellim me kujdes të shtuar gjendjen si dhe të kemi konsultime me profesionistët para secilit vendim. Do të njoftojmë me kohë për zhvillimin e procesit mësimor. Çdo vendimi i yni do të jetë i bazuar në vlerësimin e interesit më të mirë të fëmijëve dhe kujdesin për shëndetin publik. Do të respektojmë rekomandimet e institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë dhe do të ndihmojmë krijimin e parakushteve për mospërhapje të infeksionit. Vaksinohuni, vendosni maskën, respektonni distancën dhe kujdesuni për higjienën”, ka shkruar Nagavci.
Top Channel