Futbollisti i kombëtares afgane, Zaki Anwari është konfirmuar si një nga viktimat që ranë nga avioni ushtarak që po evakuuonte qytetarët nga Kabuli, pas pushtimit nga talebanët.
19-vjeçari ishte prej të rinjve që u kapën pas rrotave të C 17-tës amerikan, me shpresën t’i largoheshin kësisoj tmerrit të jetës nën regjimin mbytës taleban, por të pandërgjegjshëm nga ana tjetër për rrezikun e madh që barte një veprim i tillë.
Pamjet shokuese të qindra afganëve të dëshpëruar që rrethonin avionin bënë xhiron e botës. Të paktën dy prej tyre ranë nga lartësia kur ai u ngrit në ajër, ndërsa një tjetër u tha se kishte ngecur në njërën prej rrotave të mjetit fluturues. Tani mësohet se ky i fundit ka qenë pikërisht futbollisti 19-vjeçar. Mbetjet e trupit të tij u morën nga një ekip amerikan.
Në postimin e fundit në Facebook, i riu i mbushur me ëndrra për të ardhmen shkruante se donte ta merrte vetë në dorë fatin e tij. “Jetën e pikturoni ju si të doni. Mos ia lini furçën në dorë askujt tjetër”, ishte mesazhi prekës i tij.
Top Channel