Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me pranimin e kërkesës së SHBA-së për strehimin e afganëve në vendin tonë nga kryeministri Edi Rama.
Ai është shprehur se duke qenë që Shqipëria është anëtare e NATO-s, është detyrë e saj të qëndrojë pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan.
Basha shkruan më tej se, Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë.
Rreziqet mbi identitetin tonë kombëtar, si pasojë e shpopullimit të Shqipërisë, nuk lindin si pasojë e zgjidhjeve strategjike në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA, por për shkak të keqqeverisjes së pakicës që e ka bërë vendin të pajetueshëm për qytetarët. Sikurse është detyra jonë të jemi në lartësinë e angazhimeve ndërkombëtare, është po ashtu detyra jonë të jemi në lartësinë e sfidave që ka Shqipëria, për të patur një qeveri që punon për njerëzit dhe mbështet aspiratat e tyre legjitime për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie në vendin e tyre.
Top Channel