S’bindet Komisioni ‘Manja’ nga argumentet e institucioneve të drejtësisë, ‘Ligjet’ çojnë në Kuvend projektligjin e pagave të magjistratëve

15/09/2026 17:11

Pas 6 orë debate, komisioni ligjeve miratoi me votat e anëtarëve të PS projektligjin për pagat e magjistratëve duke ia kaluar kuvendit në seancën e të enjtes ku kërkohen 84 vota për të miratuar.

Maxhoranca socialiste u përball për herë të parë me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, pasi ata i rritën vetë pagat e tyre me afërsisht 43 për qind, nëpërmjet vendimeve të KLGJ e KLP, duke u mbështetur te vendimi i Gjykatës Kushtetuese pa pritur Parlamentin.

Megjithëse dy ditët e fundit u vendos në qendër të kritikave të kryeministrit Edi Rama, kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë, Engert Pëllumbi, në dëgjesën e thirrur në komisionin e ligjeve, nuk u tërhoq nga qëndrimet e mëparshme për pagat e magjistratëve. Zgjidhjen që propozon maxhoranca nëpërmjet një projektligji, që rritja e pagave të magjistratëve me 2%, e konsideroi si tallje.

“Projekti konkret jo vetëm që nuk e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por do ta konsideroja si një tallje me këtë vendim dhe të drejtën e magjistratëve”, tha Engert Pëllumbi, kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Ndërsa Mirela Bogdani, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shpreh se rritja e pagës së magjistratëve shërben si një oportunitet për një sistem drejtësie të qëndrueshëm dhe nuk u pajtua me projektligjin që po diskutohet në komisionet parlamentare.

Ilir Panda, zëvendëskryetar u Gjykatës së Lartë, tha se “formula e propozuar nuk garanton standardet detyruese të Gjykatës Kushtetuese”.

Ulsi Manja ishte i ashpër me gjyqtarin Gert Hoxhën, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, i cili tentoi t’i impononte komisionit agjendën e tij me komente për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësisht këtij debati, Gert Hoxha i la një derë të hapur, por me kushte, dialogut për pagat me qeverinë.

“Dialog me kusht, të kemi ftesë serioze, në një ambient neutral”, tha ai mes të tjerash.

Top Channel