Sot në mbrëmje, UEFA do të dorëzojë trofeun e parë për sezonin e ri futbollistik; atë të Superkupës së Evropës, në Windsor Park të belfastit do të vihen përballë Chelsea, fituese e Ligës së Kampioneve dhe Villarreal fitues i Europa League në këtë edicion të 46 të Superkupës.
Skuadra e Tuchel luan një finale të tillë për herë të pestë, 4 herët e para Blutë e Londrës e kanë fituar vetëm 1 herë Superkupën evropiane, në 1998 pasi mundën Realin e Madridit, ndërsa në 2012, 2013 dhe 2019 kanë hum bur respektivisht kundër Atletico Madrid, Bayern Mynih dhe Liverpool. ndërsa për Villarrealin kjo sfidë është historike pasi për herë të parë luan një finale të Superkupës. Diferencat mes Chelseat dhe Villarrealit janë të mëdha sidomos përsa u përket trofeve të fituar. Blutë e Londrës, kanë 7 trofe evropianë, 6 tituj të Premier League dhe 8 FA Cup.
Ndërsa Nëndetësja e Verdhë ka 2 tituj të Kupës Intertoto të UEFA dhe pikërisht suksesi më i madh, trofeu i Europa League. Sfida mes Chelseat dhe Villarrealit do të ketë edhe duelin mes trajnerëve Thomas Tuchel dhe Unai Emery.
Për gjermanin, kjo është hera e parë që luan në Superkupën Evropiane, ndërsa Emery ka qenë në një finale të tillë edhe 2 herë të tjera, me Sevillan në 2014 dhe 2015 dhe në të dyja ka dalë i humbur, kështu që spanjolli do të kërkojë triumfin e parë në këtë kompeticion. Për sa i përket Europa League ai e ka gdhendur fort emrin e tij pasi është trajneri që e ka fituar më shumë këtë trofe, 4 herë.
Në këtë përballje, padyshim Chelsea shihet si favorite kundrejt Villarrealit me Blutë e Londrës që në këtë fazë përgatitore janë shfaqur në një formë shumë më të mirë sesa spanjollët pasi nuk ka pësuar asnjë humbje në ndeshjet miqësore të zhvilluara deri tani. Por londinezët nuk duan të nënvlerësojnë Villarrealin që edhe gjatë Europa league është parë si një skuadër e lehtë për t’u kaluar, por në fund të gjithë e dimë si përfundoi edicioni i kaluar i këtij kompeticioni.
Superkupa evropiane mes Chelseat dhe Villarrealit do të gjykohet nga arbitri rus Sergei Karasev i ndihmuar nga anësorët Igor Demeshko dhe maksim Gavrilin.
Top Channel