Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Petrit Arapin.
56-vjeçari akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me person të pazotë për t’u mbrojtur”.
Dy ditë më parë, 56-vjeçari u ndalua pasi kreu marrëdhënie seksuale me një 20-vjeçare me aftësi të kufizuara, e cila nga ekzaminimet rezulton se është shtatzënë. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin e Ngjeqarit në Roskovec të Fierit.
Pasi dëgjoi akuzën e prokurorit Andi Pogace, gjyqtarja e cështjes Erlanda Agaj vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Petrit Arapin, i cili nuk dha asnjë shpjegim në sallën e gjyqit.
Bashkëshortja e autorit të dyshuar e mori vesh ngjarjen nga media, pasi i ishte thënë që është arrestuar për drogë.
“Unë nuk di gjë për këtë që thoni ju. Erdhi dje policia dhe kërkoi në shtëpi për drogë. Pastaj më thanë që e morën burrin se kishin gjetur drogë tek tokat. Nuk kam dijeni për këtë akuzë dhe ne nuk kemi një fqinje me aftësi të kufizuara këtu. Upupu çfarë thua ti kështu?! Nuk dimë një gjë të tillë ne, burri im është kapur për drogë. Po jetojmë me djersë këtu dhe droga ishte gjetur tek toka. Erdhi policia dhe e mori. Kaq di unë”, u shpreh ajo.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë tashmë është ngritur dhe një grup hetimor për verifikime të mëtejshme.
Top Channel