41 biss/ Dy ndërtesa me katër të burgosur. Dikur ministrja e Drejtësisë premtoi izolimin e 270 të dënuarve

09/08/2021 19:25

Nga Anila Hoxha

Për momentin në ‘41 biss’ mbahen vetëm 4 persona. Ndonëse ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një ceremoni mediatike lajmëroi përpara mikrofonave se e pakta 270 të burgosur  do të izoloheshin, si të cilësuar me lidhje të forta jashtë mureve.

Nga 2019 kur u dha ky kumt për kriminelët dhe me gjithë investimin për dy godina brenda 313 dhe brenda burgut të Peqinit, asgjë nuk ndodhi veç kyçjes së 7 të parëve, që ndërkohe u vërtitën gjykatave me kërkesat për dalje nga superburgosja.

Të tjerë, emra shumë interesantë të kriminalitetit, shfaqen herë këtu e herë atje,  nëpër telefonata që porosisin, që nënkuptojnë dhe që urdhërojnë. Një vit dhe dy burgje të tilla model italian dhe kundër mafiozeve që ju ndërpriten valët, lidhjet, ndikimet mbajti vetëm një lloj “peshku” në këtë regjim Shullazin, Endri Qyqen, Arbjon Alikon dhe Genci Ballën.

As për Ministrinë e Drejtësisë dhe as për institucionet e tjera  përfshi SPAK, Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimin Informativ nuk ekzistojnë dhe nuk ka elementë të rrezikshëm të kësaj natyre.

Qasja dy vjeçare e tregon këtë gjë!

Pra në Shqipëri u hapën dy burgje ‘41 biss’ me kapacitet 80 persona të dy bashkë, vetëm që aty të mbylleshin katër persona.

Por, aty ku qëndrojnë, vuajnë dënimin  dhe pritet të rehabilitohen të dënuarit, statistikat thonë diçka tjetër.

44 persona rezultojnë të burgosur për krimin e organizatës kriminale,  24 të tjerë për këtë krim (që përfshihet në 41 biss) janë me statusin e të paraburgosurit; 724 janë të paraburgosur për histori droge dhe 599 të shpallur fajtorë për drogë; 176 të tjerë janë të dënuar të përjetshëm.

Në këto të dhëna nuk llogariten të tjerë që kanë vrarë policë apo bëjnë pjesë në rrjetet e shfrytëzimit të prostitucionit.

Shqipëria nuk ka ‘Toto Rina’ në burg, por ama ka të dënuar që orientojnë të dënuarit si të dëshmojnë, çfarë të thonë, si ta thonë, keë të vrasin, kur të vritet. Ata nuk gjurmohen, ata nuk llogariten, nuk vërehet kodi i tyre alla shqiptar, nga ai që hap dyert e qelive dhe presin duhan për mort dhe që urdhëron kush të lëvizet në sektorin x dhe përse duhet shmangur prania e një tjetri në këtë sektor.

Kur Arbër Çekaj dhe Famtir Pjetri ngjitën litarët prej çarçafi në tarracë, askush nuk i kontrolloi. Ndonëse rregullat kërkojnë kontrollin fizik të tyre edhe kur shkojnë në ajrim edhe kur kthehen prej andej. Ndonëse Çekaj është i dënuar i formës së prerë dhe vijon të mbahet në paraburgim. Cili është shkaku, cila duhet të jetë arsyeja që duhet ta besojmë dhe mos të dyshojmë?

Akuze të rëndë ka edhe Fatmir Pjetri, anëtar i një grupi kriminal të pagëzuar “Babagjyshët”. Për shkak të veprës që ata kanë kryer dhe që është fokus i ligjit për regjimin e ashpër ‘41 biss’, a nuk duhet të kishte institucione që duhet të kishin informacion paraprak dhe mos t’i lejonin të ajroheshin në tarracën e  burgut, aty ku ngjiten të preferuarit e 313?

Ligji i regjimit të ashpër thotë ´vendosja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë bazohet vetëm në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe/ose parandalimin e komunikimit me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera, të referuara në pikën 1, të këtij neni, nëpërmjet marrjes së masave të brendshme dhe të jashtme të sigurisë së lartë, që lidhen, kryesisht, me nevojën për të parandaluar’.

Megjithatë 2 të dënuar që nuk qëndronin  në të njëjtën qeli, komunikuan dhe planifikuan një arratisje që u parandalua falë përkushtimit të një oficeri të policisë së burgjeve. Si u arrit kjo kur ‘Big Brother’ i burgjeve pretendon se vëzhgon dhe kërcënon me kartën e ‘41 biss’?

Mos vallë “pusho se të mbylla në 41 biss” po kthehet në një paralajmërim fitimprurës dhe të paligjshëm natyrisht?

Ky është test për Ministren e Drejtësisë që premtoi se do mbyllte 270 të burgosur të kalibrit të rrezikshëm në regjimin e ashpër, e megjithatë përpara fakteve që bëjnë zhurmë dy godina të ndërtuara qëllimisht janë bosh.

Top Channel