Sot është dita e Teutës dhe Lacit që do të luajnë ndeshjet e tyre të raundit të tretë kualifikues në Conference League ku ato do të kërkojnë të bëjnë historinë e të kualifikohen në fazën e playoffit të këtij kompeticionit. Skuadra durrsake që do të luajë në Dublin përballë Shamrock Rovers, një ndeshje që do të transmetohet në platformën Digitalb, ka zhvilluar përgatitjet e fundit për këtë sfidë.
Është kjo një ndeshje e vështirë për skuadrën e Teutës, që gjithsesi do të kërkojë të marrë një rezultat pozitiv tokën irlandeze për ta patur më të lehtë çështje e kualifikimit në sfidën e kthimit që këtë radhë do të luhet në Elbasan Arena dhe jo në Niko Dovana pasi stadiumi në Durrës nuk përmbush më kriteret për sfidat e këtij niveli në Evropë. Ndërkaq, mësohet se në rast kualifikimi, drejtuesit e Teutës do të japin 150 mijë euro shpërblim për futbollistët dhe stafin teknik.
Akoma më të vështirë do të ketë misionin e tij Laci që do të luajnë ndaj një skuadre si Anderlechti, klubi më i suksesshëm në Belgjikë. Kurbinasit janë të ndërgjegjshëm se ndaj klubit belg do të duhet një mrekulli, por besimi se do të kualifikohen te ta është i madh pasi në futboll gjithçka mund të ndodhë.
Për të kuptuar akoma më mirë diferencat mes Lacit dhe Anderlechtit mjaft të mendosh që skuadra belge drejtohet nga një emër i njohur i futbollit evropian si vincent kompany e që për më tepër ka një skuadër me futbollistë vlera e të cilëve shkon rreth 100 milionë euro.
Megjithatë Laci do të luajë në këtë ndeshje me një avantazh jo të vogël, skuadra e Shpëtim Duros nuk do të ketë presionin e kualifikimit pasi i ka tejkaluar pritshmëritë me arritjen në raundin e tretë kualifikues të Conference League. për më tepër, Laci në këtë ndeshje do të ketë edhe mbështetjen e tifozerisë që pritet t’i japë më shumë shtysë armatës së Shpëtim Duros.
Top Channel