Atletika regjistron një tjetër rekord të ri botëror, këtë radhë në garën e 400 m me pengesa për femra.
Është pikërisht Sydney McLaughlin ajo që e vendosi këtë rekord të ri botëror teksa fitoi garën dhe medaljen e artë me kohën 51.46 sekonda duke ulur me 44 të qindtat rekordin e mëparshëm 51.90 sekonda të vendosur nga ajo vetë.
Elaine Thompson Herah triumfon edhe në garën e 200 m për femra duke fituar medaljen e artë Olimpike që i bashkëngjitet asaj të fituar në 100 m dhe bëhet e para atlete që fiton këto dy gara në dy edicione radhazi të Lojërave Olimpike, pasi një sukses të tillë xhamajkania e ka regjistruar edhe në Rio De Janeiro në 2016. Thompson Herah e fitoi këtë garë me 21.53 sekonda, koha e dytë më e shpejtë në histori duke lënë pas Christinë Mboma të Namibisë në vendin e dutë dhe amerikanen Gabby Thomas në vendin e tretë.
Në garën e kërcimit me shkop, suedezi Armand Duplantis fitoi medaljen e artë në Tokyo 2020 teksa kaloi lartësinë 6.02 m. Duplantis në dy raste iu afrua shumë kalimit të lartësisë 6.19 m teksa tentoi të thyejë rekordin botëror të vendosur po prej tij prej 6.18 m. Medaljen e argjendtë në këtë disiplinë e fitoi amerikani Christopher Nilsen me 5.97 m ndërsa të bronztën e moriu braziliani Thiago Braz me 5.87 m.
Japonia fitoi një tjetër medalje të artë në disiplinën debutuese në Lojërat Olimpikë, Skateboard. Yosozumi 19 ishte triumfuesja në kategorinë skateboard në park me 60.09 pikë duke penguar Kokona Hirakin dhe Sky Brown që të bëhen kampionet më të reja olimpike me sportistet respektivisht 12 dhe 13 vjeçare që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë.
Në garën e notit në ambient të hapur prej 10 km për femra, medaljen e artë e fitoi braziliania Marcela Ana Cunha me kohën 1 orë 59 minuta e 30.8 sekonda duke lënë në vendin e dytë holandezen Van Rouwendaal me më pak se 1 sekondë më shumë.
Top Channel