Atletja bjelloruse konsiderohet e sigurt në Tokio, vendet e BE-së i ofrojnë viza

02/08/2021 11:13

Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, e cila ka refuzuar të niset me aeropan drejt Bjellorusisë, pasi siç ka thënë ajo, është nisur me forcë nga ekipi i saj në aeroport, tani është e sigurt në Tokio, ka thënë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar më 2 gusht.

Mbështetësit e saj kanë thënë se ajo synon të sigurojë azil jashtë shtetit.

Në orët e hershme të 2 gushtit, Tsimanouskaya, 24-vjeçare, ka qenë ende në Aeroportin Haneda të Tokios, ku ka kërkuar mbrojtje nga policia japoneze në ditën paraprake.

Ende nuk është bërë e qartë se ku mund të përfundojë ajo pasi Polonia dhe Republika Çeke i kanë ofruar ndihmë publikisht.

Fondacioni për Sportin Bjellorus – organizatë që mbështet atletët opozitarë, ka thënë se Tsimanouskaya planifikon të kërkojë azil në Gjermani apo Austri.

“Ajo na ka siguruar se është e sigurt. Ne jemi duke biseduar me të sërish këtë mëngjes, për të kuptuar se cilët do të jenë hapat e radhës”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Mark Adams.

“Ne duhet ta dëgjojmë atë, të kuptojmë çfarë dëshiron ajo dhe të mbështesim vendimin e saj”.

Adams ka thënë se ajo ka kaluar natën në hotelin e aeroportit, teksa është mbrojtur nga autoritetet.

Më herët, Tsimanouskaya, ka thënë përmes një video-mesazhi se nuk dëshiron të kthehet në Bjellorusi dhe i ka kërkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar “të intervenojë”.

“Më është bërë presion dhe ata janë duke tentuar të më largojnë me forcë nga shteti”, është cituar të ketë thënë ajo./REL/

Top Channel