Vrasja e 31-vjeçares shqiptare për xhelozi/ Nën hetim dy efektivë policie, dyshohet se kanë neglizhuar denoncimet

30/07/2021 22:53

Dy efektivë policie janë nën hetim me akuzën se kanë shpërfillur denoncimet për dhunë në familjen e 31-vjeçares që u vra me thikë nga bashkëshorti në Athinë.

Bazuar në një denoncim të bërë para tre javësh nga një fqinj i çiftit, policia ka nisur hetimet. Fqinja thoshte se kishte telefonuar policinë pasi dëgjoi çiftin e shqiptarëve teksa debatonin me njëri-tjetrin.

Ata mbërritën pas 25 minutash në banesën e çiftit, por nuk u ngjitën fare në shtëpinë e tyre dhe u larguan pas pak minutash.

“Policia është e detyruar të kryejë detyrën e saj, dhe shumica dërrmuese e tyre e kryejnë atë me ndërgjegje dhe vetëmohim, në të gjitha rrethanat, ditë e natë, sa herë që qytetarët kanë nevojë për ndihmën e tyre. Për ata oficerë policie që nuk e kuptojnë këtë, nuk ka vend në Policinë Greke”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes Civile.

Ngjarja e rëndë tronditi Greqinë mëngjesin e sotëm pasi 35-vjeçari shqiptar vrau gruan me thikë e më pas u vetëdorëzua në polici. Ai është shprehur se motivi i vrasjes ka qenë xhelozia.

Top Channel