Analisti Milaim Zeka ka komentuar takimin e tre liderëve të Ballkanit në Forumin Ekonomik në Shkup, ku janë mbledhur për të diskutuar mundësitë e “minishengenit Ballkanik” që ka marrë emrin e ri ‘Open Balkan’.

Në emisionin “Top Talk”, Milaim Zeka tha se ky model kopjon minishengenin skandinav që ka qenë para 30 viteve mes Finlandës, Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë, ku njerëzit kanë lëvizur pa kontroll të pasaportave në këto vende.

Milaim Zeka: Mendoj që mungesa e Kosovës nuk i shkon vetëm Kosovës dhe qeverisë së saj pasi vendi më i izoluar në kontinentin evropian tani për tani është Kosova. Besoj dhe mendoj, jam i bindur që vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për të mos qenë në këtë forum është një gabim trashanik politik, gabim të cilin do e paguajë me një cmim të lartë populli dhe shteti i Kosovës.

Ky lloj minishengeni ka qenë dhe është i nevojshëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve të gadishullit ballkanik të mallrave dhe thjesht të bëhet një lloj mini Skandinavie që ka qenë para 30 viteve mes Finlandës, Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë, ku njerëzit kanë lëvizur pa kontroll të pasaportave në këto vende.

Denis Dyrnjaja: Ju thoni mini Skandinavie, por mund të interpretohet ndryshe mini ish Jugosllavie ose Jugosllavie të re. Ka dyshime për këtë sepse jemi shqiptarë dhe kosovarë. Kosova është territor shqiptar i banuar nga shqiptarë. A ka sens që të ecim përpara pa pjesën tjetër të kombit?

Milaim Zeka: Nuk ka asnjë popull në Evropë që merret me teoritë e konspiracionit dhe që i beson më shumë filxhanit të kafesë në mëngjes sesa shqiptarët andej e këndej kufirit. Mbi bazën e kësaj, shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë që thonë “kujdes prej atij që të do shumë”. Dhe ju e keni parasysh se sa shtrenjtë e ka paguar populli maqedon, populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe të gjitha grupet etnike që jetojnë atje budallallëkun, nacionalizmin dhe hajdutërinë e ish kryeministrit maqedon, i cili për një dekadë e bllokoi Maqedoninë dhe në fund u detyrua ta ndërrojë emrin e aeroportit, të ndërrojë emrin e shtetit.

Top Channel