Abuzime me fondet e BE-së në Greqi/ Arrestohet një botues dhe tre biznesmenë, nën hetim transfertat prej 19 milionë eurosh

28/11/2026 00:11

Prokuroria Europiane (EPPO) ka ngritur akuza për vepra të rënda penale ndaj katër personave në Greqi, mes tyre edhe botuesit Ioannis Kourtakis, në kuadër të hetimeve për keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të Bashkimit Europian për ngritjen e qendrave të riciklimit.

Sipas gazetës greke Kathimerini, përveç Kourtakis, të arrestuar janë edhe vëllezërit Apostolos dhe Panagiotis Mourgos, pronarë të kompanisë së riciklimit TEXAN, si dhe Pavlos Ravanis, pronar i kompanisë “Antapodotiki Anakyklosi”.

Në varësi të personit të dyshuar, akuzat përfshijnë drejtimin, krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, pastrimin e parave, nxitjen e shpërdorimit të besimit dhe nxitjen e mashtrimit në dëm të interesave financiare të Bashkimit Europian.

Katër të arrestuarit dolën këtë të premte, më 27 nëntor, përpara një gjyqtari hetues europian në Athinë, ku u njohën me dosjen hetimore dhe pritej të kërkonin më shumë kohë për përgatitjen e mbrojtjes.

Ngrirja e pasurive për nëntë muaj

Ngritja e akuzave vjen një ditë pasi Prokuroria Europiane urdhëroi ngrirjen e pasurive të katër personave për një periudhë nëntëmujore.

Masa përfshin llogaritë bankare, investimet, produktet financiare, pronat dhe pasuri të tjera. Qëllimi është të sigurohen fondet për kompensimin e Bashkimit Europian dhe shtetit grek për dëmet e mundshme financiare, nëse veprat penale provohen.

87.8 milionë euro për qendrat e riciklimit, nën hetim transfertat drejt kompanive të lidhura me botuesin

Në qendër të hetimeve janë kontratat për furnizimin dhe instalimin e 248 qendrave të riciklimit në rajonet e Atikës, Peloponezit dhe Kretës, të financuara nëpërmjet një programi zhvillimi të mbështetur nga Bashkimi Europian.

Prokurorët dyshojnë se një grup i organizuar ishte përfshirë në mashtrime me subvencionet, shpërdorim të besimit në lidhje me fondet publike europiane dhe greke, si dhe pastrim parash.

Sipas prokurorëve, kompanitë e përfshira kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën, ndërsa një pjesë e të ardhurave është transferuar drejt bizneseve të lidhura me botuesin Kourtakis.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse kriteret e tenderit dhe specifikimet teknike ishin përshtatur për pajisjet e prodhuara nga kompania TEXAN dhe nëse çmimet e paguara ishin ndjeshëm më të larta se ato të tregut.

Sipas urdhrit të prokurorëve, kompania TEXAN ka përfituar gjithsej 87.8 milionë euro për projektin gjatë periudhës shkurt 2022 – qershor 2025.

Gjatë së njëjtës periudhë, nga llogaritë bankare të kompanive TEXAN dhe “Antapodotiki Anakyklosi” janë transferuar 16.3 milionë euro drejt kompanive të lidhura me Kourtakis.

Në një periudhë më të gjatë, nga janari i vitit 2021 deri në korrik të vitit 2026, vlera e këtyre transfertave arrin në 19 milionë euro.

 

Top Channel