Përplasjet për mozaikun e Nënë Terezës në Prishtinë, reagon autori Don Dominik Kukeli: Nuk e meriton një trajtim të tillë

28/11/2026 14:00

Autori i mozaikut kushtuar Nënë Terezës, Don Dominik Kukeli, ka reaguar pas polemikave dhe përplasjeve mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë lidhur me vendosjen e veprës artistike në kryeqytet.

Përmes një postimi në Facebook, Kukeli ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, duke e cilësuar situatën si një “tragjikomedi”. Ai ka publikuar edhe një fotografi të mozaikut që është realizuar për t’u vendosur në Prishtinë.

“NËNË TEREZA NUK E MERITON NJË TRAJTIM TË TILLË… nga askush… e aq më pak nga ‘gjaku’ i saj. Ky është Mozaiku për të cilin është duke u bërë gjithë kjo tragji-komedi! (Foto jo profesionale)”, ka shkruar Kukeli.

Reagimi i tij vjen pas përplasjes mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarëve komunalë dhe Policisë së Kosovës, lidhur me ndërprerjen e punimeve për vendosjen e mozaikut.

Projekti ishte paraparë të përurohej më 28 Nëntor, ndërsa vendosja e tij në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë është kundërshtuar nga ky institucion, me arsyetimin se Komuna e Prishtinës nuk ka autorizim për ndërhyrje në objekt.

Top Channel