“Ishte tmerr, ne në krye të autobusit dolëm mirë, por ata që ishin poshtë…”/ Rrëfimi i të mbijetuarve nga aksidenti në Kroaci

25/07/2021 21:13
Pasagjerët që arritën të shpëtonin nga aksidenti në Kroaci

Në një vendbanim në Slavonski Brod të Brodsko Vinogorje, ku ndodhen 14 të mbijetuarit me fat, të cilët nuk u dëmtuan nga aksidenti i tmerrshëm në mëngjes që mori dhjetë jetë, ekziston një heshtje e frikshme dhe hutuese.

Shumica e të sapoardhurve janë të shpërndarë dhe të gjithë në cepin e tyre po përpiqen t’u tregojnë të dashurve të tyre në Kosovë dhe Gjermani se si kanë arritur të shpëtojnë.

Sipas medias kroate, është e vështirë të përshkruhet tronditja që ata pësuan, e cila do tu mbette gjatë në memorie.

Një i ri nga Kosova që udhëtonte vetëm tregoi mes lotësh përvojën dhe përshkrimin e aksidentit.

“Ne që ishim në pjesën e sipërme të autobusit dolëm mirë, por ata që ishin poshtë … ishte një tmerr i  vërtetë. Pothuajse të gjithë pasagjerët flinin në autobus në gjashtë të mëngjesit. Ende nuk e kam të qartë se si ndodhi një tragjedi e përmasave të tilla. Gjëja e parë që mbaj mend pas përmbysjes kur u zgjova ishte mendimi se sapo ishim rrotulluar dhe se nuk ishte një aksident i rëndë. Në atë kohë, nuk kisha ide se do të ishte kaq tragjike. Por ishte. Ne ndihmuam në nxjerrjen e trupave të pajetë. Unë arrita të telefonoj familjen time, të gjithë ishin shumë të lumtur”, tha ai.

Për t’iu dalë në ndihmë personave të aksidentuar kishin ardhur dy shtetas të Kosovës me vendbanim në Zagreb.

“Kam ardhur për të ndihmuar njerëzit nga vendi im. Sapo dëgjova se çfarë kishte ndodhur, arrita menjëherë. Kam biseduar me njerëzit që ishin në autobus. Të gjithë përshkruajnë ato skena të tmerrshme. Pjesa e poshtme e autobusit pësoi më së shumti. Për dy pasagjerët, familjet nuk e dinë ende në cilin grup janë, të plagosurit ose të vdekurit sepse nuk janë këtu. E tmerrshme është ajo pasiguri që zgjat me orë të tëra. Me ata që ndodhen në pensionin Antonio janë vazhdimisht ekipe mjekësore. Aty-këtu, dikush ankohet për dhimbje në shtyllën kurrizore ose në këmbë, por të gjithë janë kryesisht nën një tronditje të madhe”, tha Enes Mehmeti nga Zagrebi për SBplus, i cili gjithashtu është i tronditur nga dëshmitë.

Të moshuarit kryesisht janë të hutuar dhe të humbur. Do të ishte e vështirë të përballohej pa të rinj që janë mësuar të komunikojnë përmes rrjeteve sociale me të afërmit e tyre. Për fat të mirë, ata të gjithë qëndrojnë së bashku dhe janë të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Kam udhëtuar vetëm, por tani për këta njerëz ndihem sikur jemi një familje e madhe. Nuk e di se çfarë do të bëja pa këta të rinj, ata më ndihmuan në lidhjen e internetit që të mund të kontaktoja familjen time. Ajo që kemi provuar është tmerri. Imazhet do të qëndrojnë në kokën time përgjithmonë. Thjesht nuk dua që ky aksident të mbulohet me gënjeshtra, shpresoj që të gjithë do të përpiqen të zbulojnë shkakun e tij të vërtetë”, tha Xhevahire Gashi, një grua e moshuar e cila është e shokuar me tmerrin e përjetuar.

10 persona humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, ku një autobus nga Kosova doli nga rruga dhe u përmbys.

Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi. Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë. Në autobus ishin 69 pasagjerë.

Pas kësaj ngjarjeje tragjike, presidentja Vjosa Osmani ka shpallur të hënën ditë zie në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA