Tani, është krim: Britani, ligje të reja e super-ndëshkime për emigrantët e paligjshëm!

05/07/2021 17:46

Qeveria britanike prezantoi një projektligj të ri mbi emigracionin, duke e konsideruar krim hyrjen pa leje të azil-kërkuesve në këtë vend.

Në bazë të dispozitave të projektligjit të ri, kushdo që kapet duke hyrë në mënyrë të paligjshme në Britani pavarësisht arsyeve, mund të dënohet deri me katër vjet burgim.

Masa synon të shkurajojë mbërritjen e emigrantëve përmes Kanalit të Lamanshit me varka të vogla e gomone. Trafikantët do të ndeshen me ndëshkime më të rënda, duke e rritur dënimin nga 14 vjet burgim në burgim të përjetshëm, thotë VOA. Ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel deklaroi se ligji synon të ndreqë “sistemin problematik britanik të aplikimeve për status azilanti”.

Aktualisht, refugjatët që vijnë nga Franca me varka të vogla kapen nga roja bregdetare dhe mbahen në qendra paraburgimi ose hotele deri kur të merret në shqyrtim aplikimi i tyre për azil.

“Plani ynë i ri për emigracionin është i drejtë, por i prerë. Ne mirëpresim njerëz përmes rrugëve të ligjshme dhe të sigurta dhe duke parandaluar abuzimin e sistemit” tha Patel. Në bazë të rregulloreve të propozuara, emigrantët që nuk ndiqen penalisht, por kane hyre në mënyrë të paligjshme në vend do të marrin vetëm status të përkohëshëm qëndrimi dhe nuk do të përfitojnë nga ndihma shtetërore, përveçse në rastet kur janë plotësisht pa të ardhura. Vetëm azil-kërkuesit e mberritur përmes programeve qeveritare për refugjatët do të kenë mundësi të vendosen me banim në Britani.

Top Channel