Derrat e egër radioaktivë të Fukushimës janë çiftuar me kafshët e fermave, krijojnë specien e frikshme hibride; studimi (fotot)

01/07/2021 18:10

Katastrofa bërthamore e Fukushimës në vitin 2011 ka krijuar një specie të re derrash gjysmë të egër, thotë një studim i ri në Japoni.

Studiuesit që hetojnë efektet shkrirjes bërthamore te kafshët e zonës, raportojnë se deri tani radiacioni nuk ka shfaqur efekte të rënda në gjenetikën e botës së egër.

Por derrat e egër (Sus scrofa leucomystax) janë shtuar në zonë  teksa mund të bredhin lirisht nga hapësirat e krijuara pas largimit të njerëzve.

Ata madje janë çiftuar me derrat shtëpiakë (Sus scrofa domesticus) të larguar nga fermat e zonave dhe kanë krijuar një specie të re hibride.

Studimi është drejtuar nga Donovan Anderson, i universitetit të Fukushima në Japoni, i cili ka vërejtur ndryshmet në zonën e ndaluar rreth reaktorit të shpërthyer të Fukushimës.

Për studimin e tyre Anderson e kolegët e tij analizuan mostrat e ADN-së nga 243 derra të egër, nga derrat e butë dhe hibridët mes të dyjave.

Rezultatet tregonin se 31 derra të egër, ose rreth 16 përqind e tyre, ishin specie hibride.

“Ne po tregojmë provat e një procesi të suksesshëm hibridizimi mes derrave të butë të zonës dhe atyre të egër. Ne rekomandojmë që studime të ardhshme të vlerësojnë aftësitë e këtyre hibridëve për të karakterizuar më mirë përkatësinë e tyre ekologjike”, shkruanin Anderson e kolegët.

Grupi shtonte se trashëgimia gjenetike e derrave shtëpiake ishte “holluar” prej çiftimit të tyre me homologët e botës së egër, por gjithsesi nuk u zbuluan efekte të konsiderueshme nga radioaktiviteti.

“Teknikisht si derrat e egër dhe hibridët janë radioaktivë, por kjo nuk ka të bëjë me ndryshimet e tyre gjenetike të pësuara. Derrat e egër në Fukushima janë ende të kontaminuar me radiacion që varjon nga zero në 30,000 becquerel për kilogram.”

Anderson shtonte se me këtë masë mishi i tyre nuk do të kishte efekte negative nëse konsumohej nga njerëzit.

Japonia u godit rëndë nga katastrofa mjedisore e Fukushimës, e nisur prej tërmetit që shkaktoi zhvendosje të konsiderueshme të tokës në ishullin Honshu disa metra drejt lindjes, thonë studiuesit.

Ngjarja shkaktoi një tsunami 40 metra të lartë, shkatërroi shtëpitë e 450,000 njerëzve dhe solli shkrirjen e disa reaktorëve në impjantin bërthamor Fukushima Daiichi.

Rrjedha e materialit të tij radioaktiv bërthamor u shpërnda në atmosferë dhe detyroi mijëra njerëz të braktisin shtëpitë.

Ky largim i aktivitetit njerëzor ka bërë që popullsia e derrave të egër të lulëzojë, pa u trazuar nga gjuetarët apo trafiku.

Anderson shton se prej kësaj, krijesat hibride janë tashmë më shumë aktive gjatë ditës se gjatë natës.

“Sjellja e derrave të egër është bërë më shumë diurnale”, tha ai për rrjetin IFLScience.

“Në fjalë të tjera, brenda zonës së evakuimit, derrat e egër janë më shumë aktivë gjatë ditës, teksa shumica e kafshëve të tjera janë normalisht aktivë gjatë natës”.

Qeveria japoneze llogarit se popullsia e derrave është rritur nga 49,000 në 62,000 mes viteve 2014 e 2018, por Anderson thotë se numrat mund të jenë akoma më të mëdhenj.

Anderson shton se do të jetë interesante të shihet sesi derrat e egër dhe hibridët do të sillen me rikthimin e njerëzve në zonë.

FOTO GALERI
5/7
Ngjarja shkaktoi një tsunami 40 metra të lartë, shkatërroi shtëpitë e 450,000 njerëzve dhe solli shkrirjen e disa reaktorëve në impjantin bërthamor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA