Blinken mbërrin në Itali, në Francë u prit krahëhapur!

28/06/2021 13:30

Nga Gjermania dhe Franca ku u prit krahëhapur, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbërriti në Itali. Kryediplomati i SHBA-së diskutoi me liderët gjermanë e francezë mbi sfidat e sigurisë globale dhe aleancat transatlantike në përgjigje të problemeve madhore të globit.

Blinken ka kaluar një pjesë të madhe të rinisë në Paris dhe e flet rrjedhshëm frëngjishten. Pavarësisht pritjes festive në Paris dhe Berlin megjithate ai u përball me probleme serioze botërore, përfshirë një vlerësim të zbulimit amerikan që del ne perfundimin se qeveria afgane mund të bjerë brenda gjashtë muajsh pas largimit të forcave amerikane dhe të NATO-s më 11 shtator. Blinken tashmë ka mbërritur në Romë për takime me homologun Italian, Luigi Di Maio.

Të dy ata zhvilluan një drekë pune në Vilën Taverna, e cila shërben si rezidenca e ambasadorit amerikan në Romë. shefi i diplomacisë amerikane ka një axhendë të ngjeshur me takime me përfaqësues të Agjencive të OKB-së për Sigurinë Ushqimore me seli në Romë. Blinken do të takohet me diplomatë amerikanë që shërbejnë në misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Romë, në Vatikan dhe në agjencitë e OKB-së në Itali.

Më pas, ai Blinken zhvillon dhe një vizitë në Selinë e Shenjtë. Sekretari i Shtetit do ta përmbyllë qëndrimin e tij në Itali me pjesëmarrjen në takimin e Grupit të 20-shes në Bari dhe Matera, ku do të diskutohen tema si pandemia dhe ngrohja globale.

Top Channel