As Le Penin e as Macronin: Francezët i ndëshkojnë me votë që të dy!

28/06/2021 16:40

Në raundin e dytë të zgjedhjeve rajonale, francezët e thanë fort dhe qartë se nuk duan t`i japin pushtet ne duar ekstremit të djathtë. Fronti Nacional i Marine le Penit, shënoi disfatë dhe në balotazh.

Shpresat më të mëdha, Le Pen i kishte në Provence, por kandidati i partisë së saj, Thierry Mariani, humbi kundrejt kandidatit republikan, Renaud Muselier. Partia e presidentit Emmanuel Macron, Republika në Marshim pati dhe ajo rezultate mjaft të dobëta në zgjedhje, ndërsa republikanët e qendrës së djathtë dhe socialistët befasuan me një boom të mbështetjes.

Kjo sprovë për të dy pretendentët e mëdhenj të Elizesë vjen përpara zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahën prillin e vitit të ardhshëm.

Mbetet problem ndërkohë për politikanët pjesëmarrja e ulët në votime. Vetëm 35% e francezëve hodhën votën e tyre të djelën, një shifër kjo rekord për Francën. “Po shohim pikën kulmore të pakënaqësisë mes votuesve dhe klasës politike,” tha Jessica Sainty, pedagoge në Universitetin Avignon, duke pranuar se pandemia ka qenë një ndër faktorët për këto shifra. Problemi i pjesëmarrjes ka bërë që shumë figura të njohura të dalin me propozime të ndryshme për të nxitur procesin, ndër to edhe idenë e votimit elektronik.

Top Channel