Pakujdesi apo… Dosja top-sekret e qeverisë britanike gjendet në një stacion autobusi

27/06/2021 16:40

Një dosje ‘top sekret’ e ministrisë britanike të mbrojtjes me të dhëna të detajuara mbi luftanijen HMS Defender dhe ushtrinë vendase është gjetur në një stacion autobuzi në Kent.

Njëri prej dokumenteve të saj kishte të dhëna dhe për reagimin e ashpër rus ndaj kalimit të luftanijes të mërkurën në afërsi të Krimesë, ndërsa një tjetër detajonte planet e një pranie të mundshme ushtarake britanike në Afganistan pasi të përfundojë operacioni i udhëhequr prej NATO-s atje. Londra zyrtare njoftoi se një hetim është çelur menjëherë për këtë rast, ndërsa një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes u shpreh se një punonjës kishte raportuar humbjen e dokumenteve delikate, por nuk komentoi më gjatë.

Dosja me 50 faqe u gjet nga një qytetar i cili kontaktoi BBC-në kur e kuptoi rëndësinë e dokumenteve që i kishin rënë në dorë fare rastësisht. Aty thuhej se destrojeri i tipit 45, HMS Defender, kishte bërë një “kalim të pafajshëm në ujërat ukrainase”, ndërsa lëvizja qe kryer me pritshmërinë se Rusia mund të përgjigjej në mënyrë agresive.

Dhe reagimi i Moskës qe vërtet i menjëhershëm, pasi raportohet se mbi 20 avionë dhe dy anije patrullimi ruse e ndoqën destrojerin anglez gjatë kalimit në brigjet e Krimesë.

Top Channel