12 artistë nga vende të ndryshme të Evropës do të qëndrojnë për një javë në një kamp arti në Gjirokastër.
Ato janë inspiruar nga Gjirokastra dhe kanë filluar të ndërtojnë punët e para që përfshijnë elementë të dekorit tradicional, të zejeve, të artizanatit, të arkitekturës dhe të bimësisë. Në një farë mënyre artistët po përshkruajnë përmes artit stilin e jetës në Gjirokastër.
“Fustanella erdhi si inspirim nga prezantimi i artizanatit. Ato na prezantuan me fustanellën sesi e realizojnë dhe më lindi ideja që të bëj një tendë të madhe në formën e fustanellës.”
“Unë bëj string art dhe vendosa të bëj një qylim. Ky është i ndërtuar me mbi 1000 gozhdë dhe që simbolizojnë vjetërsinë e Gjirokastrës mbi 1000 vjeçare.”
“Është një projekt që konsiston në tri panele të cilat flasin i pari për brendësinë e Gjirokastrës, i dyti për rrugët e qytetit dhe i treti për shtëpitë dhe jetën lokale.”
Kampi realizohet në kuadër të Artech një program i Europës Krijuese dhe ka mbledhur pjesëmarrës nga Spanja, Ukraina, Italia Rumania dhe hapësirat shqiptare të Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Teknikat përfshijnë një gamë të gjerë që nga fotografia, puna me artizanët lokalë e cila është shumë e rëndësishme pasi ne duam të bëjmë artistët ndërkombëtarë që të krijojnë së bashku me artistët dhe mjeshtrat lokalë në Gjirokastër”, tha Edvin Lamçe nga Fondacioni Gjirokastra.
Idetë që do të ekspozohen përgjatë kësaj jave në qendrën historike të Gjirokastrës trajtojnë artistikisht aspekte të jetës së përditshme mbushur me elementë të traditës dhe artizanatit. Artistët po punojnë krahas artizanëve lokalë dhe ndërveprimi i kulturave është një prej arsyeve të këtij kampi arti.
Top Channel