Procesi i regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë dhe nxënësve në klasën e dhjetë, nisi në 15 qershor dhe do të mbyllet në 30 qershor.

Për herë të parë në 190 shkolla në Shqipëri po aplikohet projekti pilot për regjistrimin përmes platformës digjitale E-Albania.

Shoqata CRCA-Shqipëri ka dhënë alarmin duke thënë se 3600 fëmijë rrezikojnë të mbeten pa shkollë. Ajo i ka bërë thirrje qeverisë ta rishikojë vendimin për regjistrimin online.

Top Channel u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, që po ndjek mbarëvajtjen e procesit pilot. Ky institucion tha se të dhënat e CRCA-së janë të rreme, të paverifikuara dhe jokorrekte.

Sistemi ju krijon mundësi të gjithëve dhe askush nuk do të mbetet pa shkollë.

Janë rreth 30 mijë fëmijë që do regjistrohen në klasë të parë në gjithë vendin si përmes E Albania-s, ashtu dhe me anë të mënyrave të mëparshme. E po kaq, pra rreth 30 mijë nxënës që do regjistrohen në klasën e 10-të.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, problemet që janë hasur deri më tani janë emancipimi dhe ngatërresat me adresat. Ka familje që për arsye nga më të ndryshmet kërkojnë t’i regjistrojnë fëmijët jo në shkollën e zonës që ju takon.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar thekson se pas mbylljes së aplikimeve në 30 qershor, drejtorët e shkollave dhe krerët e ZVA-ve do të mblidhen sërish për t’i dhënë zgjidhje çdo rasti, që në fund asnjë fëmijë të mos mbetet pa u regjistruar në shkollë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA