Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në këtë takim thuhet të jetë biseduar për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z. Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, së bashku me shefin e tij të kabinetit, z.Rahim Salihu. Kryeministri Kurti dhe z. Kamberi biseduan për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit.

Tutje në takim është diskutuar edhe për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar.

“Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014”, thuhet në komunikatë.

Veç këtyre Kurti e Kamberi kanë folur edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kurti dhe z. Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë.  Takimi me z. Shaip Kamberi është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, përfundon komunikata.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA