Foto/ Kurti takon për herë të parë Trump: Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Kosovës Bashkimi Europian ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke njohur atë që e përshkroi si “ e drejtë themelore e një shoqërie demokratike për tubime paqësore”.
Një zëdhënës i bllokut i tha mediave në Prishtinë se BE-ja po e ndjek me kujdes nga afër situatën në Kosovë.
I pyetur për protestat e zhvilluara para zyrave të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, zëdhënësi konfirmoi se misioni vazhdon punën normalisht.
“Mund të konfirmojmë se EULEX-i është plotësisht funksional”, thuhet në përgjigje. Reagimi i BE-së vjen pas zhvillimeve në Kosovë që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit. Në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte”.
Sipas vendimit, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Dhjetëra mijëra njerëz mbushën një ditë më parë sheshet kryesore të Prishtinës, valëvitën flamuj me simbolet e UÇK-së dhe pankarta në mbështetje të katër ish krerëve të UÇK-së. Protesta, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, përfundoi e qetë dhe pa incidente.
Top Channel