Një hetim me rëndësi i zhvilluar nga SPAK ka çuar në pranga prokurorin e Sarandës, Sali Hasa për veprën penale të korrupsionit, por jo vetëm. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për disa persona.
Konkretisht: në pranga ka rënë edhe Napolon Hodaj, oficer i Policisë Gjyqësore; Bledar Hajredini, zyrtar i klubit ‘Përmeti’, Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë që pas arrestimit forcat e policisë kanë shkuar në zyrën e prokurorit duke sekuestruar sendet në zyrë, siç shihet në pamjet e siguruara nga Anila Hoxha.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” etj, parashikuar nga nene 245/1, 319/ç, 28/4, 283/a, 333/a, 334 etj, të Kodit Penal.
Hetimi i këtij procedimi penal u bë i mundur falë bashkëpunimit shumë efektiv me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Më tej në njoftimin e SPAK , thuhet se ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”.
Policia e Shtetit ka ekzekutuar në datën 19.06.2021 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.40 datë 17.06.2021. Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.202 datë 17.06.2021 Policia Gjyqësore Pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë.
Top Channel