“Luftë e hapur”, Kina akuzon G7-tën për manipulim: Boll i cenuat interesat tona!

14/06/2021 15:43

Kina shpërtheu në akuza ndaj G7-tës për manipulim politik pasi liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të globit e fshikulluan ashpër Pekinin për një sërë çështjesh.

Në deklaratën e përbashkët, të lëshuar në mbylljen e samitit tre ditor, liderët i kërkuan Kinës të “respektojë liritë bazë dhe të drejtat themelore të njeriut”, duke evidentuar sidomos abuzimet ndaj pakicës myslimane ujgure dhe shtypjen e dhunshme të protestave pro-demokracisë në Hong Kong.

Nuk vonoi shumë që Kina të reagonte. “ Boll na fajësuar, boll ndërhytë në punët tona të brendshme dhe boll dëmtuat interesat e Kinës”, deklaroi zëdhënësi i ambasadës kineze në Londër.

“G7 përfiton nga çështjet e lidhura me Ksinjiangun për t’u përfshirë në manipulime politike”, shtoi ai. Kina besohet se ka ndaluar më shumë se një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në rajonin Ksinjiang. Shumica e tyre dërgohen në të ashtuquajturat kampe “riedukimi”, ku mbahen për kohë të pacaktuar dhe pa ndonjë akuzë.

Ndonëse fillimisht e kishin mohuar ekzistencën e kampeve të tilla, autorotetet kineze së fundi pohuan se ato ekzistojnë duke thënë se janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin. Si kundërpeshë ndaj Kinës, vendet e G7-s ranë dakord në samitin e tyre në Cornwall për një iniciativë globale për projekte infrastrukturore. Ato vendosën t`u ofrojnë vendeve në zhvillim partneritete „të orientuara nga vlerat, cilësore dhe transparente.

“Nuk bëhet fjalë të dalësh kundër Kinës ose të matesh me Kinën, por të krijosh një vizion pozitiv alternativ për botën”, tha një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA