Xi Jinping do të vizitojë SHBA-në të mërkurën, takimi i dytë me Trump brenda vitit
Një 39-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, u vra tragjikisht në Delaware të SHBA-së, pasi një gjuetar e qëlloi me armë, duke e ngatërruar me një dre.
Ngjarja ndodhi në zonën e Ellendale. Viktima, Santos Maria Chilel Soto, banore e Georgetown, ishte duke ecur në një fushë të hapur së bashku me një burrë dhe dy fëmijë, kur u qëllua nga 74-vjeçari Walter Moorehead, nga Salisbury, Maryland.
Sipas Policisë Shtetërore të Delaware, rreth orës 19:40, Moorehead ishte duke gjuajtur nga një strukturë e ulët e kamufluar, e përdorur nga gjuetarët për të qëndruar të fshehur nga kafshët e egra.
Nga hetimi paraprak dyshohet se 74-vjeçari besoi se kishte parë një dre dhe qëlloi me pushkë. Plumbi, megjithatë, goditi Soton.
Forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje i dhanë ndihmën e parë 39-vjeçares, e cila më pas u transportua në një spital lokal. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ajo u shpall e vdekur.
Moorehead u gjet në vendngjarje dhe policia përcaktoi se ai ishte personi që kishte qëlluar. 74-vjeçari u arrestua dhe çështja iu kalua Njësisë së Vrasjeve të Policisë Shtetërore të Delaware për hetime të mëtejshme.
Ai akuzohet për vrasje nga pakujdesia, posedim të një arme zjarri gjatë kryerjes së një krimi dhe tre akuza për rrezikim të shkallës së parë. Moorehead u lirua pasi pagoi një garanci prej 43 mijë dollarësh.
Sipas New York Post, Santos Maria Chilel Soto ishte nënë e pesë fëmijëve dhe me origjinë nga Guatemala. Pas vdekjes së saj është hapur një fushatë online për mbledhjen e fondeve, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe transportimin e trupit të saj drejt Guatemalës.
Top Channel