Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në parlament raportoi për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2020, duke sjellë shifra nga kallëzimet, procedimet, veprat penale më të shpeshta në Shqipëri, si dhe ndryshimin e tyre në krahasim me një vit më parë.
Çela tha se prokuroria ka trajtuar mbi 58 mijë materiale kallëzimi, teksa vjedhja e pasurisë ka numrin më të lartë të veprave penale.
“Mbi 44 mijë procedime penale. Në 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria e Tiranës e ndjekur nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Elbasanit. 78.24% e procedimeve penale i përkasin krimeve.
Vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të veprave penale, ulje me 10% në krahasim me një vit më parë. Veprat penale të kanosjes mbi 90 të pushuara”, tha ndër të tjera Çela.
Çela vuri theksin tek nevoja për prokurorë të rinj, ndërkohë që shtoi se duhet bërë akoma më shumë punë në drejtim të luftës kundër pastrimit të parave.
Ka nevojë për një rritje urgjente të numrit të prokurorëve dhe gjyqëtarvë pa diskutim. Ka një rënie të kërkesave të urdhërit penal që prokuroritë kanë pasur gjatë 2020. Është një nga objektivat tonë për 2021 për të analizuar këtë. Ngelet shumë për tu bërë një drejtim të luftës kundër pastrimit të parave, ka nevojë për rritje të numrit të personave të dënuar dhe të konfiskimeve.’- tha Çela.
I RAPORTIT VJETOR TË PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM
“MBI GJENDJEN E KRIMINALITETIT PËR VITIN 2020”
Viti që kaluam ishte mjaft i vështirë për shkak të pandemisë, e cila krijoi probleme edhe në funksionimin e sistemit të prokurorisë, me ndikim në uljen e performancës efektive të prokurorive.
Gjatë vitit 2020, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 58466 materiale kallëzimi, që përbën një ulje prej 2,37 % në krahasim me vitin 2019, prej të cilëve 840 kallëzime janë nga nëpunës publik, që përbëjnë ulje prej 41,59 % krahasuar me vitin 2019. Janë ndjekur gjithsej 44834 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,23 % në krahasim me vitin 2019, nga të cilat 27890 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,29 % në krahasim me vitin 2019 dhe 640 procedime penale të rifilluara, që tregon rritje prej 9,59 % në krahasim me vitin 2019. Janë mbartur në vitin 2020, 16304 procedime penale me një rritje prej 25,83 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2019. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 13632 referime dhe kallëzime penale, me një rritje prej 12,61 % në krahasim me vitin 2019.
Edhe në vitin 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 31,74 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroritë e tjera me shifrat më të larta janë: -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka regjistruar 9 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar 7,69 % të numrit total të procedimeve të regjistruara
Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2020 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2020 e ka qarku Gjirokastër me 14,03 %, ndërsa qarqet Kukës e Dibër kanë koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rrezulton me rritje në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë.
Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2020, rezulton se 78,24 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21,76 % i përkasin kundërvajtjeve penale. Krahasuar me vitin 2019, 4,76 % e këtij raporti ka ulje në procedimet për krime dhe rritje në procedimet për kundravajtje penale.
Sa i përket raportit të grupveprave sipas strukturës së Kodit Penal me numrin total të procedimeve, ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë, evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara, me 31,24 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara në prokurori për vitin 2020, por me ulje 9,96 % krahasuar me vitin 2019.
Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike që përbëjnë 26,46 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, kanë ulje 4,81 % krahasuar me vitin 2019; -veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës me 6,28 %, por kanë ulje 8,38 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2019; -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes me 4,88 %, dhe kanë një rritje prej 9,12 % në krahasim me vitin 2019; -veprat penale shkatërrimi pronës me 4,10 %, dhe kanë një ulje prej 9,22 %; -veprat penale kundër sekretit dhe kufijve me 3,15 %, dhe kanë një ulje prej 39,88 %; – veprat penale kundër shëndetit me 3,09 %, -po me 2,70 % deri 2,25 % rezulton pesha edhe falsifikimi i dokumentave, krimet kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit, krimet kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik dhe mashtrimet, të procedimeve të regjistruara në prokurori gjatë vitit 2020.
-Gjatë vitit 2020 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10000 procedime penale (ulje prej 4,05 % në krahasim me vitin 2019) me 11530 të pandehur (ulje prej 5,41 % në krahasim me vitin 2019). Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 11741 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (ulje 0,44 % në krahasim me vitin 2019).
-Prokuroritë pranë gjykatave të apelit kanë përfaqësuar akuza në emër të shtetit shqiptar për 1070 ankime për çështje themeli (ulje prej 58,58 % në krahasim me vitin 2019) dhe 2521 ankime për masat e sigurimit personal (rritje prej 13,51 % në krahasim me vitin 2019).
-Në vitin 2020 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është urdhëruar ekzekutimi i 5222 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë ose me ulje 52,41 % krahasuar ne vitin 2019. Përgjatë vitit 2020 janë ekzekutuar 2990 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 1875 vendime, të cilët sipas llojit të dënimeve të pa ekzekutuar janë: 5 dënime me burgim të përjetshëm, 277 vendime me burgim, 736 vendime për dënimin me gjobë, 29 dënime plotësuese dhe 829 dënime alternative. Ndër vite gjithsej, janë 3820 vendime penale të mbetur pa u ekzekutuar, të cilët sipas llojit të dënimeve janë: 7 dënime me burgim të përjetshëm, 1039 vendime me burgim, 1543 vendime për dënimin me gjobë, 57 dënime plotësuese dhe 1198 dënime alternative.
-Gjatë vitit 2020 janë përfunduar 26169 çështje që përbën ulje prej 7,14 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2019, prej të cilave: 38,11 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 35,93 % janë pezulluar dhe 3,34 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
-Janë dërguar në gjykatën e shkallës së parë 10000 çështje me akuzë ndaj 11530 të pandehurve. Krahasuar me vitin 2019 rezulton një ulje prej 4,05 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,41 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Sipas llojeve të gjykimeve të posaçme gjendja e kërkesave dhe zgjidhjeve në gjykatat paraqitet si më poshtë:
Janë dërguar 410 kërkesa për miratim urdhri penal, me 432 të pandehur ose krahasuar me vitin 2019 me ulje 44,59 % të kërkesave dhe ulje 43,23 % të pandehurve, ndërsa nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të urdhrit penal në 12 raste ose krahasuar me vitin 2019 me ulje 40 % të rasteve që është vendosur nga gjykata refuzimi i miratimit të urdhrit penal. Kjo rënie do të jetë pjesë e një analize të thelluar gjatë vitit 2021.
Janë dërguar 740 kërkesa për miratim marrëveshje fajësie, me 749 të pandehur, pothuaj në nivelet e një viti më parë, ndërkohë nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të marrëveshjes në 45 raste, shifër pothua e njëjtë me 2019.
Është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 252 çështje me 252 të pandehur, krahasuar me vitin 2019, përbëjnë rritje prej 14,55 % të numrit të çështjeve dhe 8,62 të numrit të të pandehurve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi.
-Gjatë vitit 2020, janë dërguar në gjykatë për pushim 4647 çështjeve ose me rritje 53,16 % e krahasuar me vitin 2019, prej të cilëve 2252 çështje janë pushuar për mungesë fakti, që përbëjnë 48,46 % të çështjeve të pushuara. Nga të dhënat rezulton se për 233 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me rritje 8.88 % krahasuar me vitin 2019, ndërsa në 5 çështje ka vendosur kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, tregues në ulje krahasuar me 12 vendime të tilla në vitin 2019.
-Gjatë vitit 2020, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 9400 çështje për shkak se autori nuk njihet apo nuk është zbuluar autori i veprës penale ose me ulje prej 6,81% e çështjeve të pezulluara në krahasim me vitin 2019.
-Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore në vitin 2020 rezulton se janë dënuar 8022 të pandehur dhe për 152 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2019 me ulje 8,96 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 19,15 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.
Për veprat penale të trafiqeve të paligjshme, në vitin 2020, treguesi i efiktivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 31,25 % dërguar gjyqit dhe 68,75 % të pushuara,. Ndërkohë nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2020 ka një ulje prej 12,54 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të trafiqeve të paligjshme në krahasim me vitin 2019.
-Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, edhe pse në vitin 2020 ka një rritje prej 17,80 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grupveprash penale në krahasim me vitin 2019, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 58,42 % e çështjeve janë dërguar gjyqit, ndërsa 41,58 % e çështjeve janë pushuar.
-Në vitin 2020 për “Krime kundër jetës të kryera me dashje” janë dërguar për gjykim 31,66 % e çështjeve dhe janë pushuar 68,34% e çështjeve. Në këtë grupveprash, duke veçuar veprën penale të kanosjes që zë 88% të çështjeve të pushuara. Për veprat penale të vrasjes me dashje efektiviteti është, përkatësisht 63,81 % dërguar gjyqit dhe 36,49 % pushuara.
-Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 83,02% e çështjeve janë dërguar në gjyq dhe 16,98% e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, në vitin 2020, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 9,74 % krahasuar me vitin 2019. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në këtë grup veprash penale për vitin 2020 është 92,53 %, pothuaj e njëjtë me vitin 2019. Ecuria e kësaj vepre penale në pesë vite, tregon se është arritur ulje në masën 7,68 % në numrin e procedimeve të regjistruara në vitin 2016 krahasuar me vitin 2020. Në analizë të të dhënave, rezulton se:
Profili i të pandehurve: 92,71 % janë meshkuj madhorë, 59,87 % janë me arsim deri 9-vjeçar, 72,49 %, janë të papunë, 2,13 % janë përsëritës për të njëjtën vepër dhe 9,33 % janë të dënuar për vepra të tjera.
Gjeografia sociale: numri më i lartë i procedimeve për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, është regjistruar në prokurorinë e shkallës së parë Tiranë 32 %, ndërkohë që koeficienti më i lartë për 100 000 mijë banorë rezulton në qarqet Gjirokastër me 62 procedime dhe qarku Vlorë me 60 procedime.
Politika Penale: për këtë grup veprash, 88,58 % e kërkesave të prokurorit për masa sigurimi lidhen me caktimin e masave të sigurimit me arrest dhe nga gjykata në 85,29 % të kërkesave është vendosur masë sigurimi me arrest
-Lidhur me veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, treguesi i efiktivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 41,82 % e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 58,18 % e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë të dhënat statistikore në vitin 2020, evidentojnë tendencë në ulje prej 14,32 % të procedimeve të regjistruara për këtë vepër në krahasim me vitin 2019.
Lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore, për vitin 2020 ka qenë objektiv prioritar institucional, dhe në kuadrin e zbatimit të rekomandimeve të BE-së dhe planit të veprimit të ICRG/FATF, me Shqipërinë. Për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm synimi ynë ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional me autoritetet vendase e të huaja, dhe jo vetëm.
-Në këtë kuadër, me 15 korrik 2020 në bashkëpunim me Ministrin e Brendshme dhe Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë , u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit dhe u miratua udhëzimi i përgjithshëm nr. 10 datë 17.07.2020 “Për masat administrative dhe procedurale për rritjen e efikasitetit në luftën kundër pastrimit të parave, krimit financiar, financimit të terrorizmit, si dhe për hetimin e pasurisë dhe sekuestrimin/konfiskimin e produkteve kriminale, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”. Këto akte të politikave ndërinstitucionale evidentojnë progresin në krijimin e një bazë solide për rritjen e efiçencës në kryerjen e gjurmimit, hetimit dhe ndjekjes penale të këtyre veprave, pasi aktet krijuan korniza për ngritjen e seksioneve të veçanta në prokuroritë vendore, rritjen e kapaciteteve në seksionet e veçanta në drejtoritë e policisë vendore, forcimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe agjencive të tjera ligjzbatuese të cilëve u janë besuar trajtimi i rasteve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe u përmirësua efiçenca e bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel vendor dhe qendror.
-Udhëzimi i përgjithshëm plotësoi dispozitat e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe është një instrument për përdorimin nga prokurorët, policia gjyqësore dhe agjencitë ligjzbatuese të përfshira. Ky dokument hyri në fuqi më 1 shtator 2020, dhe janë krijuar shtatë seksione të veçanta në prokuroritë më të mëdha dhe caktuar prokurorë të dedikuar në prokuroritë më të vogla për t’u përqendruar në hetimet dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve kriminale.
-Për forcimin e kapaciteteve profesionale, u zhvilluan një seri trajnimesh online të mbështetura nga Projekti PAMECA V për prokurorët, policinë gjyqësore dhe agjencitë ligjzbatuese të përfshira (290 pjesëmarrës) në dhjetor 2020 dhe në janar 2021, si dhe po bashkëpunohet me projektin spanjoll FIIAPP për asistencë teknike për përditësimin e manualit për pastrimin e parave dhe hetimeve financiare.
-Rezulti i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave të parashikuara nga nenet 287 e 287/b të Kodit Penal, pasi të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2020, për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, numri i procedimeve të regjistruara është rritur me 20,19 %, numri i të pandehurve të regjistruar është rritur 103,1 % dhe numri i personave të dënuar është ritur 11 % krahasuar me vitin 2019. Megjithë arritjet, ngelet sërish me nivele jo të kënaqshme efektiviteti i ndjekjes penale për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në vitin 2020, pasi evidentohen tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara.
-Ndërsa, në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, janë regjistruar 12 procedime penale nga 10 procedime të regjistruar në vitin 2019 ose me rritje rreth 20 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këto vepra penale. Ndërkohë, për “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” sipas nenit 232/a të Kodit Penal janë dërguar për gjykim 2 procedime penale me 2 të pandehur dhe 1 person është dënuar për këtë vepër penale.
Të dhëna sociale dhe demografike për të pandehurit
Nga të dhënat statistikore vërehet se në vitin 2020 rezultojnë 51,11 % e të pandehurve me arsim deri 9 vjeçar, me arsim të mesëm në vitin 2020 rezultojnë 40,08 % e të pandehurve, ne arsim të lartë, në vitin 2020 rezultojnë 9,55 % e të pandehurve.
Për sa i takon gjendjes shoqërore të të pandehurve, nga të dhënat statistikore vërehet se në vitin 2020 të punësuar në sektorin shtetëror rezultojnë 4,63 % e të pandehurve, të pandehurit e punësuar në sektorin privat në vitin 2020 përbëjnë 24,21 % të numrit të të pandehurve, ndërkohë që 71,38 % e të pandehurve rezultojnë si të papunë.
v) Sa i përket zbatimit të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” në vitin 2020, në kuadrin e hetimeve pasurore, mbi kërkesën e prokurorëve të pranuara nga gjykata për 4 (katër) procedime është vendosur sekuestrimi i pasurive, shifra këto jo të kënaqshme, që evidentojnë nevojën për një angazhim më të madh të prokurorive në këtë drejtim. Lidhur me treguesit në ulje të sekuestrimeve pasurore në kuadrin e hetimeve pasurore në zbatim të ligjit nr.10192/2009 (i ndryshuar) të krahasuar me vitin 2019, vlerësojmë se, ndikon dhe mungesa e treguesve të Prokurorisë së Posaçme, kjo për faktin se në vitin 2019 treguesit e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda kanë qenë pjesë e treguesve të raportuar nga Prokuroria e Përgjithshme.
Dekriminalizimi
Në ushtrim të funksionit të rëndësishëm ligjor lidhur me verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, gjatë vitit 2020, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar 109 praktika/kërkesa për verifikim, për 2 persona, kërkesat janë kthyer pasi nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në ligj, për 94 persona procesi ka përfunduar gjatë vitit 2020, duke miratuar rezultatet e verifikimit, dhe për 13 persona procesi i verifikimit ka vijuar për vitin 2021.
-Gjatë vitit 2020, në vendimmarrjen e kërkesave për verifikim të subjekteve, rezulton se:
– 68 subjekte, “Zyrtar i Lartë” ;
– 19 subjekte, “Nivel Ekzekutiv”;
– 11 subjekte, “Nivel Drejtues”;
– 11 subjekte, “Nivel i Mesëm”;
Gjatë verifikimit për 5 nga subjektet, për të cilët janë konstatuar elementë të veprave penale, materiali është dërguar për kompetencë në prokuroritë kompetente.
-Gjatë vitit 2020, janë kryer edhe 55 procese të verifikimit të thelluar të të dhënave në formularët e vetëdeklaruara nga persona, subjekt të ligjit, regjistruar në vitet 2016-2019, për 43 prej tyre procesi ka përfunduar dhe janë miratuar rezultatet e verifikimit, ndërkohë për 12 subjekte, procesi verifikimit ka vijuar për vitin 2021.
Për këto subjekte, të cilëve ju ka përfunduar procesi i verifikimit në vitin 2020, nga Departamenti Administratës Publike, rezultojnë të jenë në kushtet e ndalimit:
– 1 subjekt ndjekur në bazë të kërkesës së vitit 2018;
– 6 subjekte, ndjekur në bazë të kërkesave të vitit 2019, me vendimarrje të vitit 2020;
– për 2 subjekte, DAP do të shprehet pasi vendimet penale me të cilët janë dënuar të marrin formën e prerë.
– nga informacioni i KQZ, 1 subjekt ka dhënë dorëheqjen, pas vendimarrjes për miratimin e rezultateve të verifikimit;
Për 8 nga personat, gjatë verifikimit të të cilëve janë konstatuar elementë të veprave penale, materiali është dërguar për kompetencë në prokuroritë përkatëse.
Prokurori i Përgjithshëm në zbatim të kërkesave të Rezolutës së Kuvendit e rekomandimeve prioritare të KM, rekomandimeve të BE-së dhe planit të veprimit ICRG/FATF për Shqipërinë, si dhe për problematika të evidentuara përgjatë vitit 2020, ka nxjerrë 18 udhëzime të përgjithshme, dhe 14 urdhra për miratimin e rregulloreve standard e rregulloreve apo akteve të tjera normative (trajtuar në raportin vjetor), ka mbikëqyrur zbatimin e tyre dhe është kujdesur për ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore në prokurori, nëpërmjet raportimeve periodike dhe informacioneve të kërkuara nga drejtuesit e prokurorive lidhur me masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, si për nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu dhe për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme apo kërkuar informacion prokurorëve për çështje konkrete, me synim, për të garantuar pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve dhe të sigurojë efiçencën, ligjshmërinë e transparencën në veprimtarinë e prokurorive që drejtojnë.
Në këtë vështrim, në marrëdhëniet me drejtuesit e prokurorive lidhur me veprimtarinë organizative dhe administrative të tyre, janë evidentuar: -shkelje të afateve dhe nivel jo i kënaqshëm i raportimeve e informimeve të përcaktuara me aktet ligjore dhe nënligjore, lidhur me ecurinë e veprimtarisë së prokurorive që drejtojnë, të dhënat statistikore periodike, kërkesat për informacion, raportimet periodike tre mujore, etj; është vërejtur gjithashtu mospërmbushje e kërkesave për raportim dhe informim sipas ligjit dhe zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme , çështje këto që janë trajtuar më gjatë në raportin vjetor që i është nisur kuvendit.
Vlerësojmë se rregullimi ligjor aktual vështirëson lidhjen organike efektive mes drejtuesve të prokurorive në prokuroritë e shkallës së parë dhe të apeleve me Prokurorinë e Përgjithshme, në kuptim të ushtrimit të detyrave ligjore dhe kushtetuese, ndërkohë që angazhimet institucionale që dalin nga rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet e Këshillit të Ministrave apo në raportet me organizma të tjerë ndërkombëtarë kërkojnë një nivel më të lartë kohezioni institucional. Gjithashtu, rregullimi ligjor aktual, në procesin e promovimit, caktimit, pezullimit apo shkarkimit të drejuesve të prokurorisë nuk parashikon vlerësimin e indikatorëve ligjorë që lidhen me performancën e prokurorive të rretheve gjyqësore apo apeleve, drejtuesve të prokurorive dhe marrëdhëniet e drejtuesit të prokurorisë me Prokurorin e Përgjithshëm, si elemente shumë të rëndësishme në mbarëvajtjen e punës dhe në ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore në sistemin e prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm. Për këto arsye, të trajtuara më hollësisht në raport, kemi propozuar ndërhyrjet e nevojshme ligjore, për realizimin e të cilave kërkojmë mbështetjen tuaj.
-Përveç sa më sipër, prokuroria është angazhuar në bashkëpunimin veçanërisht me Kuvendin dhe Ministrinë e Drejtësisë, ka nënshkruar 6 (gjashtë) marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme, Ministrinë Brendshme dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konflikit të Interesit, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe jo vetëm, në dhënien e kontributit të saj në iniciativat ligjore për përmirësimin e drejtësisë penale, hartimin e dokumenteve strategjikë kombëtarë dhe raportimeve periodike për përmbushjen e prioriteteve e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kuadër të procesit integrues të vendit dhe zbatimin e planit të veprimit të ICRG/FATF-së.
Referuar numrit, llojeve, shtrirjes teritoriale, intensitetit dhe formave të kriminalitetit e masave të tjera të analizuara mësipër dhe në mënyrë më të hollësishme në raport, organi i prokurorisë ka përmbushur detyrat kushtetuese e ligjore dhe ka zbatuar rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet e Këshillit të Ministrave, rekomandimet e BE-së dhe planin e veprimit të ICRG/FATF, prioritetet kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit, rritjen e efektivitetit kundër krimit ekonomik dhe krimeve të tjera, duke ndihmuar e kontribuar në forcimin e rendit dhe të sigurisë publike, duke siguruar një procedim të drejtë dhe duke garantuar liritë personale, të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve dhe subjekteve të procedimit penal.
Top Channel