Në 2-vjetorin e fillimit të operacioneve të përbashkëta me FRONTEX në Shqipëri, u mbajt sot një ceremoni në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gërhot të Gjirokastrës.
Në këtë event morën pjesë ambasadorë e diplomatë të vendeve partnere dhe organizatave ndërkombëtare, oficerë kontakti të policive të vendeve partnere si dhe një trupa e oficerëve të FRONTEX e Policisë së Shtetit.
Ministri Çuçi akordoi medalje nderi për z. Zoltán Nagy, i cili është ndër drejtuesit e njësisë, ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u dha certifikata mirënjohje dy koordinatorëve të këtij këtij misioni Mathias Roeske dhe Goran Borovnik. Operacioni FRONTEX ka shënuar rezultate impresionuese në harkun e këtyre dy viteve dhe ka dhënë një kontribut substancial në kontrollin dhe frenimin e migracionit të paligjshëm.
Fjalimi i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:
U bënë dy vjet që ne në Shqipëri për herë të parë kemi filluar një bashkëpunim të një natyre tjetër midis vendeve të BE, dhe vendeve që nuk janë pjesë e BE. Sigurisht para dy vjetësh mendonim që ky bashkëpunim do ishte i suksesshëm, dhe do sillte pa diskutim përparim në luftën kundër trafiqeve apo emigracionit të paligjshëm.
Sot drejtori na bëri një paraqitje të përmbledhur të të gjithë rezultateve që ka pasur ky mision shumë i rëndësishëm. Por pavarësisht nga niveli i rezultateve, unë mendoj që gjëja më e padiskutueshme, sepse gjithmonë rezultatet mund të kenë, siç rëndom sot në botë kanë filluar edhe faktet alternative, mund të kenë këndvështrime të ndryshme, mund të shikohen me optimizëm, me pozitivitet, sikundër mund të shikohen nga disa edhe me një sens kritik.
Pavarësisht nga kjo, një gjë që është e pakundërshtueshme në këtë model të jashtëzakonshëm bashkëpunimi është vullneti i qeverisë shqiptare për të qenë pjesë e BE.
Aspirata e Shqipërisë është të jetë pjesë e BE dhe janë pikërisht operacione të tilla apo marrëveshje bashkëpunimi të kësaj natyre që e jetësojnë këtë aspiratë të shqiptarëve për të qenë pjesë e BE.
Unë sot jam krenar si Ministër i Brendshëm i RSH që kemi fituar besimin e të gjithë niveleve të sigurisë të policisë të BE, për të qenë bashkëpunëtorë: të denjë, të barabartë, në një mision të përbashkët.
Për ruajtjen e sigurisë të kufijve të Europës dhe ruajtjen e sigurisë të jetës të europianëve. Dhe kjo ishte edhe arsyeja që ne e shtymë edhe më shumë këtë bashkëpunim, dhe siç tha ambasadori që Shqipëria është një model në këtë kuptim, e po bëhet një model, që po ndiqet tashmë edhe nga vende të tjera jo anëtare të BE. Mund t’ju them që kjo nuk është vetëm rasti i vetëm.
Pra, marrëveshja me FRONTEX nuk është një rast i shkëputur, një vullnet i shkëputur nga disa zyrtarë vullnetmirë, por është një qëndrim i palëkundur i qeverisë shqiptare për të qenë pjesë, shumë shpejt, e familjes europiane.
Këtu mund t’ju përmend bashkëpunimin në nivelin më të lartë që ka Shqipëria sot, si asnjë vend tjetër europian në Europol.
Shqipëria është pothuajse e ulur në Europol si një vend anëtar, gati me të drejtat e një vendi anëtar të BE-së. Por unë shumë shpejt do të zgjeroj zyrën në zyrat qendrore të Europol-it.
Shqipëria është ftuar nga Europol, që jo vetëm të jetë pjesë e hetimeve të përbashkëta europiane kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, sepse ka tashmë disa vite që është pjesë e grupeve të përbashkëta të hetimit europian, por është ftuar tashmë që të udhëheqë një nga këto grupe të përbashkëta europiane në luftën kundër trafikut.
E pra, këto janë shembuj realë që tregojnë vullnetin e palëkundur të Qeverisë Shqiptare për të qenë sa më shpejt pjesë e familjes europiane.
Sigurisht sot kemi ardhur për të falënderuar miqtë; një falënderim të gjithë ekipit që kanë sakrifikuar, kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë ardhur për të kontribuar këtu në Shqipëri, bashkërisht me ekipet shqiptare. Këta që janë këtu dhe të tjerë që kanë shërbyer, edhe që s’janë sot, sepse janë në shërbim.
Sot kemi ardhur të falënderojmë, siç falënderojmë ne shqiptarët, sepse ne gjithmonë e kemi traditë që partnerët, miqtë, gjithmonë i nderojmë.
Pavarësisht se ky mision nuk mbaron sot, kemi gjetur këtë moment që t’i nderojmë sot sepse shumë shpejt nuk do të jemi më partnerë, por do të jemi një familje.
Kështu që kam nderin, që të ftoj Zoltanin, të vijë të marrë në emër të të gjithë ekipit të FRONTEX, që ka shërbyer për dy vite në Shqipëri, medaljen, që ne e quajmë “Medalje Nderi”.
Më lejoni ta lexoj motivacionin: “Ministri i Brendshëm i jep trupës së shërbimit të FRONTEX, pjesëmarrës në operacion në Republikën e Shqipërisë, medaljen e nderit, për kontribut të shquar dhe mbështetjen e spikatur në forcimin e sigurisë kufitare, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme nëpërmjet kufirit, në interes të sigurisë publike në kufijtë tokësorë dhe detarë të Republikës së Shqipërisë”.
Top Channel