Pas 11 ditë luftimesh të ashpra, që shkaktuan mbi 100 viktima, lanë pas shkatërrime masive në Rripin e Gazës, e bllokuan aktivitetet në pjesën më të madhe të Izraelit, qeveria e Izraelit dhe palestinezët militantë në Rripin e Gazës arritën armëpushimin, duke ndjekur kështu një propozim të Egjiptit, që po ndërmjetëson mes palëve në konflikt.
Pushimzjarri u vendos pa asnjë kusht paraprak, tha një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu pas një mbledhjeje të kabinetit të sigurisë të enjten (20.05) në mbrëmje, por nëse palestinezët i vazhdojnë sulmet e tyre me raketa armëpushimi shfuqizohet menjëherë. Edhe Hamasi radikal e pranoi marrëveshjen. të traumatizuar nga dhuna e këtyre ditëve, paklestinezët vërshuan në rrugët e Gazës të festonin lajmin e armëpushimit.
“Armëpushimi hyri në fuqi për të dyja palët të premten (21.05) në orën 02:00 sipas orës lokale“, vuri në dukje Taher al-Nuno, një këshilltar u kreut të Hamasit Ismail Hanija, në Gaza.
“Rezistenca e armatosur” e palestinezëve do të vazhdojë derisa këtë do ta bëjë pala izraelite, shtoi ai. Gjatë ditëve të fundit disa shtete, ndër to edhe Gjermania, janë përpjekur që t’u jepet fund sulmeve nga ajri.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një telefonatë me Netanjahun bëri thirrje për ç’tensionim të menjëhershëm të situatës dhe e përshëndeti vendosjen e pushim zjarrit.
Të enjten, ministri i Jashtëm gjerman. Heiko Maas zhvilloi bisedime me të dyja palët në Lindjen e Mesme. Ashtu si tre luftërat e mëparshme midis dy armiqve të hidhur, raundi i fundit i luftimeve përfundoi pa ndonjë zgjidhje të konfliktit.
Izraeli pretendoi se u ka shkaktuar dëme të mëdha Hamasit, por përsëri nuk ishte në gjendje të ndalonte breshëritë e raketave të grupit militant islamik.
Hamasi gjithashtu pretendoi fitoren. Por tani, përballet me sfidën e madhe të rindërtimit, në një territor që vuan nga varfëria, niveli i lartë i papunësisë dhe përhapja e koronavirusit.
Top Channel