Që në fillim të kampionatit, Laçi u projektua për titullin dhe dy javë para fundit është ende aty në garë, ku një fitore me Teutën do të mbante ende në garë kurbinasit.
Një sfidë e rëndësishme ndaj durrsakëve, që trajneri Duro e vlerëson shumë, ashtu siç vlerëson me krenari dhe ekipin e tij që deri në fund është ende në garë për trofeun e Superiores. “Jam krenar që skuadra pretendon për titullin kampion deri në momentet e fundit, pasi kjo është shumë pozitive. Ndeshja me Teutën është shumë e rëndësishme, si për ne, ashtu edhe për durrsakët, por natyrisht që duhet të kemi mendjen edhe te përballja e Partizanit me Vllazninë”, u shpreh Duro.
Me mendjen te Teuta por dhe te sfida tjetër Partizani-Vllaznia, nga rezultati i së cilës mund të varet dhe fati i katër ekipeve në garë për titullin. “Këto situata i kam kaluar shumë herë në karrierën time dhe ndeshja jonë me Teutën është shumë e rëndësishme, por fatin në dorën e tyre e kanë Partizani dhe Vllaznia, pasi çdonjëra prej tyre, nëse fiton të dy ndeshjet, fiton edhe titullin”, deklaroi tekniku kurbinas.
Keqardhje megjithatë ka, sepse një sukses me Skënderbeun mund ta shihte Laçin në të tjera pozita, ndërsa sa i përket të ardhmes Duros thekson se vazhdimësia ose jo e tij në krye të stolit të kurbinasve do të vendoset bashkërisht me presidentin Laska.
“Kemi bërë mirë, por mund të kishim bërë më mirë, sidomos që në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Këtë fundjavë përfundon kampionati dhe mund të them që bashkëpunimi im me drejtuesit ka qenë shumë pozitiv, Do të flasim për sezonin tjetër dhe nëse do të gjejmë gjuhën e përbashkët, pse jo, do të vazhdoj”, u shpreh trajneri.
Top Channel