Ndeshja e futbollit të femrave mes Partizanit dhe Bilishtit është ndërprerë pa u mbyllur ende pjesa e parë, pasi tre vajza të ekipit juglindor kanë pasur gjendje të fikëti në fushë dhe janë transportuar menjëherë në spital.
Dyshohet se futbollistet janë helmuar prej ushqimit por mbetet për t’u konfirmuar pas kontrollit të hollësishëm mjekësor.
Pas kësaj ngjarje të rëndë vjen edhe një reagim nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila sqaron se tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e spitalit.
Reagim publik mbi ngjarjen në ndeshjen e femrave Partizani-Bilisht Sport
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuar ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21 të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në Spitalin Amerikan nga Ambulanca, e sjellë nga klubi pritës, KFF Partizani, që kanë qëndruar sëbashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave. Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit.
I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmëve të tyre. Në garën e ekslusiveve dhe klikimeve duhet të tregojmë sëpaku humanizëm dhe profesionalizëm.
Në momentin e ndërprerjes, Partizani po fitonte bindshëm me shifrat 5-0.
Top Channel