Formula 1/ Chris Horner bën prapakthehu: Është nder që emri im lidhet me Ferrarin, por nuk dua vendin e Vasseur
Monegasku konfirmon formën e shkëlqyer në pistën amerikane, me Antonellin vetëm 42 të mijëtat pas tij. Verstappen renditet i treti, ndërsa McLaren mbetet jashtë pesëshes së parë.
Charles Leclerc konfirmon se Ferrari ka nisur në mënyrën më të mirë fundjavën e Çmimit të Madh të SHBA-së. Piloti monegask ishte më i shpejti edhe në sesionin e dytë të provave të lira në Austin, duke përsëritur paraqitjen e shkëlqyer të seancës së parë në pistën e COTA-s.
Leclerc regjistroi kohën 1 minutë, 23 sekonda dhe 921 të mijëtat, duke lënë pas vetëm me 42 të mijëtat Kimi Antonellin. Piloti i Mercedesit konfirmon kështu konkurrueshmërinë e tij, ndërsa Max Verstappen u rendit i treti, 189 të mijëtat larg kohës më të mirë. Holandezi synon të vazhdojë serinë e fitoreve pas triumfeve në Sepang dhe Singapor.
Pas treshes së parë u renditën Lewis Hamilton dhe George Russell. Piloti i Ferrarit ishte 615 të mijëtat më i ngadaltë se Leclerc, ndërsa britaniku i Mercedesit e mbylli sesionin 744 të mijëtat pas liderit. Surpriza e seancës ishte Liam Lawson. Piloti i Racing Bulls regjistroi kohën e gjashtë më të shpejtë, duke lënë pas të dy makinat McLaren të Lando Norris dhe Oscar Piastrit, të cilët pritet të përmirësojnë ritmin në vazhdim të fundjavës. Dhjetëshen e parë e plotësuan Isack Hadjar me Red Bull dhe Oliver Bearman me Haas-Ferrari.
Tashmë, vëmendja zhvendoset te sesionet vendimtare të fundjavës. Të shtunën, më 24 tetor, në orën 19:30, sipas orës së Tiranës, do të zhvillohen provat e treta të lira, ndërsa në orën 23:00 do të nisin kualifikueset, ku do të përcaktohet renditja e nisjes dhe fituesi i pole position. Të dielën, më 25 tetor, në orën 20:00, do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të SHBA-së, me 56 xhiro në pistën e Austin. Të gjitha emocionet e Formula 1 do të transmetohen, si gjithmonë, drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Digitalb.
Pas dominimit në dy sesionet e para të provave të lira, Leclerc dhe Ferrari synojnë të konfirmojnë formën edhe në kualifikuese dhe në garë, por Verstappen dhe rivalët e tjerë pritet të luftojnë deri në fund për fitoren në Teksas.
Top Channel