Pas 7 fitoreve radhazi, për Manchester City erdhi momenti që të ndjejë shijen e humbjes së parë në Premier League angleze. Ashtu siç ka ndodhur shpesh këto kohët e fundit, është pikërisht Aston Villa ajo që ndali vrullin e Citizens dhe protagonisti për skuadrën e Unai Emery u bë Nicolas Jackson.

Skuadra nga Birmingham i bëri menjëherë të qarta gjërat teksa pas vetëm 5 minutash lojë mori avantazhin. Guehi gaboi në kontrollin e topit duke ia dhuruar atë McGinn i cili shërbeu te Nicolas Jackson me qendërsulmuesin senegalez që mposhti Donnarummën me portierin italian që pati përgjegjësinë e tij në pësimin e atij goli. Manchester City reagoi dhe iu afrua golit të barazimit fillimisht me Cherki e më pas me Ndiyae që goditi shtyllën, por pjesa e parë përfundoi me avantazhin 1-0 të Aston Villës.

Përpjekjet e skuadrës së Enzo Maresca u rritën akoma më shumë në fillimin e pjesës së dytë dhe në minutën e 51, Erling Haaland gjeti golin e barazimit në 1-i pas ekzekutimit të një goditje këndi. Citizens, me Jeremy Doku në krye vijuan sulmet e tyre, por duke rrezikuar shumë kundërsulmet dhe pikërisht në këtë mënyrë erdhi dhe goli i dytë i Aston Villas në minutën e 60. Mbaye gjeti saktë Jackson që gjuajti fortë duke mposhtur Donnarummën për herë të dytë dhe skuadra e Villans mori avantazhin në 2-1. Gjërat nuk ndryshuan më dhe Aston Villa e mbylli këtë ndeshje me rezultatin 2-1 në favorin e saj duke shënuar jo vetëm fitoren e parë në kampionat në këtë sezon, por edhe të tretën radhazi ndaj Manchester City.

Top Channel